Deputeti i PS-së, Ervin Bushati deklaroi sot në Kuvend se “taksa Basha cënon mbi 99% të qytetarëve shqiptarë”. Duke bërë një analizë kritike profesionale, ekonomike dhe politike të taksës Basha, deputeti Bushati tha se “sot 91% e bizneseve paguan 0% tatim fitimi. Vetëm 9% e bizneseve (11 mijë biznese ) mund të ndihmohen nga taksa Basha”.
“Kjo vlen dhe për gjithë qytetarët e punësuar në Shqipëri. 97.5% e qytetarëve paguajnë më pak me taksën progresive, sesa me taksën Basha. Ata që mund përfitojnë janë rreth 17.000 qytetarë. Në total nga 2.8 milion banorë, vetëm 28 mijë ndihmohen nga taksa Basha pra vetëm 1% i shqiptarëve”, u shpreh Bushati.
Ajo pjesë e shoqërisë e cilësuar nga PD si “oligarkia”, tha ai, është e vetmja që përfiton nga taksa Basha.
“ Taksa Basha është një eksperiment i dështuar post-komunist – sot i dështuar në gjithë botën. Sipas raportit të Komisionit Europian (Dhjetor 2018) edhe vendet që kanë pasur taksë të sheshtë po shkojnë drejt taksës progressive. Rekomandimet e BE flasin, sesi taksa e sheshtë sot po rishikohet, sepse ka dëmtuar bizneset. Vendet që e kanë ndryshuar janë: Maqedonia, Estonia, Letonia, të gjitha vende post-komuniste. I vetmi vend, që është rast suksesi është Rusia”, theksoi Bushati.
Gjithashtu, Bushati tha se taksa Basha dështoi me votë në 2013.
“Shqiptarët pasi e provuan në kurriz për 4 vite taksën e sheshtë, votuan që të mos kenë më taksë të sheshtë. Sipas të dhënave rritja në 2013 ishte vetëm 0.9% në raport me GDP. Në vitet 2014-2019 që vijuan me taksën progresive, rritja ka qenë mesatarisht 4.2% në raport me GDP. Për këto tre argument, taksa Basha duhet refuzuar nga gjithë qytetarët shqiptarë”, u shpreh ai.