Në fushë ka detyrën t’i shpëtojë mbulimit të kundërshtarëve, por sulmuesi anësor Stefan El Shaarawi di të bëjë mjaft mirë edhe markimin e ashpër.
Futbollisti i sapo-rikthyer te Roma është bërë pjesë e një episodi të pakëndshëm pasditen e sotme, pasi një hajdut provoi t’i vjedhë makinën një një nga rrugët e kryeqytetit italian, por tentativa dështoi me sukses.
Kjo pasi ishte vetë El Shaarawi që pikasi hajdutin, në momentin që ky i fundit po thyente xhamin e makinës dhe më pas iu vu menjëherë në ndjekje, duke e arritur pas vetëm pak metrash, falë edhe shpejtësisë së tij.
I menjëhershëm edhe reagimi i forcave të policisë, që u gjendën menjëherë pranë për t’i vënë prangat hajdutit, tentativa e të cilit për të grabitur makinën e sulmuesit, nuk ishte aspak e suksesshme.