Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) përsëriti apelin në lidhje me pabarazinë në botë që u vu në dukje në procesin e pajisjes me vaksinat kundër koronavirus.

“130 shtete në mbarë globin nuk kanë marrë ende asnjë dozë vaksine”, deklaroi Tedros Adhanom Ghebreyesus në konferencën e fundit të organizatës, ndërkohë që 75 për qind e vaksinave të injektuara deri më tani i përkasin vetëm 10 shteteve.

Sipas Ghebreyesus, të gjitha qeveritë kanë detyrimin të mbrojnë njerëzit e tyre, por teksa procesi i vaksinimit për shtresat më të prekura është tanimë drejt fundit, do të ishte mirë që pjesa e vaksinave të ndahej edhe më pjesën tjetër të globit.

“Sa më shumë kohë që duhet për të vaksinuar ata që janë më të rrezikuar kudo, aq më shumë mundësi i japim virusit të shndërrohet në variante të reja dhe të bëhet rezistent ndaj vaksinave”, tha shefi i organizatës, duke shtuar se nëse virusi nuk luftohet kudo, ai mund të ringjallet globalisht.