Në sistemin arsimor gjatë vitit 2020-2021 rezultojnë 1260 mësues ndihmës për 4610 fëmijë me aftësi ndryshe, ndërkohë që në vitet 2013-2014 nuk kishte asnjë mësues ndihmës për 2849 fëmijë me aftësi ndryshe.

Kryeministri Edi Rama i është drejtuar me një pyetje ndjekësve të tij në instastory në rrjetin social Instagram, në rubrikën “100 arritje në 4 vite” në lidhje me numrin e mësuesve ndihmës në shërbim të nxënësve me aftësi ndryshe, që janë sot në sistemin arsimor.
“Sa mësues ndihmës në shërbim të nxënësve me aftësi ndryshe kemi sot në sistemin arsimor? 631 mësues ndihmës apo 1260 mësues ndihmës?”, – pyet Rama.

Në storyn pasardhës publikohet edhe përgjigjja, ku theksohet se në total në sistemin arsimor sot janë 1260 mësues ndihmës.
Që prej dhjetorit 2019, arsimi special i është shtuar listës së profileve të licencës së mësuesisë, teksa nga viti në vit numri i mësuesve ndihmës është dyfishuar në funksion të drejtpërdrejtë të gjithëpërfshirjes dhe vëmendjes së shtuar ndaj fëmijëve me aftësi ndryshe në sistemin parauniversitar.