Najada Çomo, gruaja që u shndërrua në figurat më të dashura për shqiptarët përgjatë një viti të gjatë e të vështirë të përballjes me covid19 në vendin tonë, e quan “historike”, të gjithë përgjigjen dhe angazhimin përballë kësaj situate në vendin tonë, që prej rastit të parë të infektimit me këtë virus e deri më sot.

Në një intervistë të dhënë së fundmi per Lexo.al, shefja e spitalit Covid 1 rrëfen si dëshmitare e luftës me virusin e padukshëm se kjo betejë do të ishte e pamundur për stafet mjekësore pa organizimin, mbështetjen dhe angazhimin e përgjegjshëm të qeverisë shqiptare, në krah të bluzave të bardha.

Sipas saj, është pikërisht ky lloj potenciali që ajo pa te qeverisja socialiste, që e bindi për ta pranuar edhe ftesën e kryeministrit Rama, për të qënë kandidate në zgjedhjet e 25 prillit, potencialin që mund të çojë përpara sfidat me të cilat përballet sot vendi ynë.

“Unë mund të përgjigjem konkretisht në lidhje me potencialin arritës të Partise Socialiste, me atë që kam përjetuar vetë në këto 12 muaj pandemi, çka duhet vlerësuar si kuptimplotë dhe e përgjegjshme. Organizimi, mbështetja dhe ndjekja në dinamikë e situatës me covid në kushtet e vëndit tonë, ka qënë një ndërmarrje e përmasave të tilla multidimensionale që nuk ka ndodhur ndonjëherë tek ne dhe do të cilësohet, pa më të voglin dyshim, historike. Dhe kjo është meritë madhore e qeverisë së Partisë Socialiste dhe e vetë kryeministrit Edi Rama”, thotë Çomo ndër të tjera.

E pyetur nëse kandidimi i saj po i shërben më shumë partisë socialiste për qëllime të imazhit elektoral pozitiv, siç shprehen kritikët, Çomo thotë se kjo thënie nuk përkon aspak me rastin e saj.

“Kjo sepse mendoj që Partia Socialiste e Shqipërisë, që është forca më e madhe politike në vendin tonë, ka aq shumë anëtarë dhe simpatizantë me imazh mjaft të admirueshëm shumërrafshor, saqë çdonjëri prej tyre mund të ishte i meritueshëm në vendin tim. Një prej tyre tashmë jam edhe unë dhe jam gati të jap më të mirën time”, tha kandidatja e dytë në listën e PS për Tiranën.

INTERVISTA:Doktoreshë, ju vini nga një komunitet shumë i gjerë, ai i mjekësisë shqiptare. Si është pritur nga kolegët e bashkëpunëtorët tuaj vendimi për të qënë pjesë e politikës?

Najada Çomo: Është e vërtetë që komuniteti i mjekësisë është shumë i gjerë dhe në përgjithësi, jo fort heterogjen. Unë nuk kam bërë ndonjë kërkim në drejtim të pyetjes suaj, por mendoj dhe me sa kam arritur të ndiej e kuptoj, nuk ka patur perceptime negative për këtë vendim timin. Janë të shumtë kolegët që më kanë uruar dashamirësisht për këtë rrugëtim dhe unë besoj se ftesa që mu bë, ishte një vlerësim për të gjithë ata kolegë me të cilët kemi bërë një betejë të vështirë kundër covid19.

Çfarë do të japë Najada Çomo më shumë për këtë komunitet dhe për sistemin në shëndetësi pas 25 Prillit, si deputete e Kuvendit të Shqipërisë?

Najada Çomo: Shëndetësia është një nga kollonat e shoqërisë njerëzore, ku çdo person, me kapacitete të përshtatshme, mund të kontribuojë në përmirësimin dhe zhvillimin e saj. Unë mendoj se inkludohem, si mjaft të tjerë, në ata të cilët mund të kryejnë një veprimtari pozitive në këtë drejtim. Është ende shumë herët të prononcohem konkretisht se “çfarë do të jap” unë për komunitetitn mjekësor, por jam e sigurt se do të bëj më të mirën, së bashku me kolegët vendim-marrës, për problemet që do shtrohen si në rrafshin e mjekësisë parandaluese, ashtu dhe në atë klinike parësore, dytësore dhe terciare. Vetë infektologjia, specialiste e së cilës jam, është një degë e mjekësisë që lidhet fort pikërisht me këto rrafshe të shëndetësisë. Kjo ma lehtëson shumë detyrën time si deputete eventuale për të dhënë një kontribut të drejtpërdrejtë sa më rracional dhe të vlefshëm.

Mbi 30 vite në sistemin shëndetësor… Keni patur mundësinë të shihni se si zhvillohet ky sistem, me të mirat dhe të këqijat e veta. Mendoni që ka ende plagë të pashëruara ky sistem, për të cilat ju vetë nesër do të jeni një zë në parlament?

Najada Çomo: Në këto 30 vjet eksperience pune, kam patur rast të shoh dhe të përjetoj direkt komoditetin, arritjet dhe mangësitë e shërbimit shëndetësor të vendit tonë. Pandemia aktuale vuri në dukje se sistemet shëndetësore të vendeve të ndryshme të botës, përfshirë vendet më të zhvilluara, evidentuan të meta dhe defekte të mëdha në hallka të ndryshme madhore të tyre. Sigurisht, edhe në vendin tonë, si kudo në botë, sistemi shëndetësor ka dobësitë e veta.
Unë si mjeke me përvojë të konsiderueshme njoh nevojat mbi mënyrën se si mund të përmirësojmë në mënyrë të vazhdueshme dhe cilësore shërbimin shëndetësor; dhe kjo do të më ndihmojë shumë që të parashtroj projekt-drafte të përshtatshme dhe rracionale të zgjidhjes së tyre.

Ndërsa një pjesë e ka mirëpritur kandidimin tuaj si një vlerë e shtuar për politikën shqiptare, për ta pasuruar këtë të fundit me njerëz profesionistë e me integritet si ju, një pjesë tjetër mendon që ndoshta përfshirja juaj është thjesht dhe vetëm për qëllime imazhi të partisë që ua propozi kandidimin. Pse Najada Çomo do t’i thyejë të gjitha paragjykimet e kategorisë së dytë?

Najada Çomo: Unë i përshëndes të gjithë ata që e kanë mirëpritur kandidimin tim në fushën politike dhe i falenderoj për qytetarinë, respektin dhe inkurajimin, që më japin në këtë detyrë të re.

Paragjykimeve në lidhje me “qëllim imazhi ” nuk dua t’u kushtoj vëmendje të posaçme sepse i konsideroj si dukuri jo të pëlqyeshme, jo të goditura dhe jo civile në politikën shqiptare. Shprehje të tilla nuk përkojnë me realitetin në rastin tim. Kjo sepse mendoj që Partia Socialiste e Shqipërisë, që është forca më e madhe politike në vendin tonë, ka aq shumë anëtarë dhe simpatizantë me imazh mjaft të admirueshëm shumërrafshor, saqë çdonjëri prej tyre mund të ishte i meritueshëm në vendin tim. Një prej tyre tashmë jam edhe unë dhe jam gati të jap më të mirën time.

Si ju kanë pritur ndërkohë brenda Partisë Socialiste? Besoj angazhimi ka nisur në terma më konkretë të fushatës…?

Najada Çomo: Partia Socialiste është një forcë shumë e emancipuar e shoqërisë shqiptare, çka besoj se ka kushtëzuar një mikpritje të ndjeshme dhe të sinqertë, që më është bërë. E ndiej veten të respektuar dhe të vlerësuar nga shumë mjedise të Partise Socialiste. Ka një energji shumë të madhe njerëzore brenda asaj strukture, e cila besoj se është edhe energjia apo forca lëvizëse e këtij grupimi në sfidat e veta. Njerëzit që takoj çdo ditë, që kur del nga shtëpia, secili me dashamirësinë e vet, janë një histori më vete njerëzore nga e cila ka gjithmonë diçka për të marrë e për të mësuar. Dhe kjo më frymëzon pa masë!

Çfarë mendoni ju si qytetare se presin më shumë shqiptarët nga qeverisja socialiste që kërkon një mandat të tretë?

Najada Çomo: Shqipëria ka sfidat e veta në rrafshe të ndryshme të ekzistencës dhe zhvillimit të saj. Mendoj se shqiptarët presin arritje konkrete dhe të shpejta në lidhje me integrimin europian të vendit; zhvillimin social-ekonomik; eleminimin e plagëve të ndryshme të shoqërisë sonë dhe prosperitetin gjithpërfshirës.
Megjithatë, e rëndësishme është që përpara këtyre sfidave ka patur dhe vijon të ketë njerëz që marrin barrën për t’i shkuar deri në fund këtyre sfidave. Partia Socialiste premton të realizojë arritje të sigurta në këto drejtime në mandatin e saj të tretë. Dhe në tetë vite në fakt, i ka dhënë provat se po, mund të performojë mirë dhe në interes të qytetarëve të zakonshëm.

Unë mund të përgjigjem konkretisht në lidhje me potencialin arritës të Partise Socialiste, me atë që kam përjetuar vetë në këto 12 muaj pandemi, çka duhet vlerësuar si kuptimplotë dhe e përgjegjshme. Organizimi, mbështetja dhe ndjekja në dinamikë e situatës me covid në kushtet e vëndit tonë, ka qënë një ndërmarrje e përmasave të tilla multidimensionale që nuk ka ndodhur ndonjëherë tek ne dhe do të cilësohet, pa më të voglin dyshim, historike. Dhe kjo është meritë madhore e qeverisë së Partisë Socialiste dhe e vetë kryeministrit Edi Rama.

Me shumë modesti dua të nënvizoj se fraza e mësipërme është thënie e ndershme dhe e vërtetë e njeriut që u përball i pari drejtëpërsëdrejti me Covid-19 në Shqipëri dhe që prej një viti, përjeton vizitat e ndjekjen, disa herë në ditë për çdo ditë, tek të sëmurët në fjalë si dhe sheh mbështetjen pa caqe të qeverisë për zgjidhjen në kohë reale të problemeve të shumta që shkakton kjo pandemi e paimagjinuar nga gjithë njerëzimi.

Covid-19 nxorri në pah karakterin e popullit shqiptar për t’i rezistuar fort, edhe pse me shumë sakrifica kësaj pandemie, kaliti tërë stafet e sistemit tonë shëndetësor duke qënë njëkohësisht edhe një “universitet” i vërtetë, shumë instruktiv për të gjithë ne.

Keni luajtur një rol kyç në shërbimin që keni drejtuar, edhe si anëtare e komitetit teknik të ekspertëve. Në gjykimin tuaj profesional, mendoni që vaksinimi masiv do të jetë realisht i mundur brenda 14 muajve?

Najada Çomo: Përgjigja ime në lidhje më këtë pyetje është mëse pozitive. Të jeni të bindur se koha do të vërtetojë atë që sot duket e pamundur, ashtu sikundër dëshmoi se Infektologjia, Epidemiologjia dhe Qeveria Shqiptare arritën të përballen fort me pandeminë duke arritur rezultate të konsiderueshme në shpëtimin e dhjetra, mijëra jetëve të bashkëqytetarëve tanë të dashur./Lexo.al