Bora Muzhaqi është kandidate për deputete e Partisë Socialiste në qarkun e Tiranës për zgjedhjet e 25 prillit Ajo renditet e 31-ta në listë (sa dhe mosha e saj) dhe shembulli që ajo sjell është nga ato të rrallat për Shqipërinë.
Bora ka studiar në Mbretërinë e Bashkuar ku ndoqi vitin e fundit të gjimnazit në “Cambridge Arts and Sciences”, me një bursë të fituar falë rezultateve të larta në mësime Më pas ajo rriti të pranohet në një nga universitetet më prestigjoze të Europës; “London School of Economics” (LSE).
Ndryshe nga shumë bashkëmoshatarë të saj që studiuan e u diplomuan në perëndim për tu integruar atje më pas në tregun e punës, Bora mori vendimin të rikthehej në Shqipëri, ku ecuria e karrierës profesionale e kanë ngjitur në një nivel tjetër sfidash për të ardhmen.
Në nje rrefim ekskluziv për AlpeNews.al, Bora tregon se përse ka zgjedhur të përfaqësojë ngjyrat e Partisë Socialiste dhe çfarë pret në fund të kësaj fushate.
12 pyetje per Bora Muzhaqin/ Përse keni zgjedhur Partinë Socialiste?
Bindjet e mia janë të majta dhe unë besoj tek politikat të cilat në thelb kanë mbështetjen e shoqërisë dhe shanseve të barabarta, pavarësisht shtresës ekonomike apo shoqërore. Një shtet social, kujdesi për qytetarët nëpërmjet politikave nxitëse, është kryesorja. Ndaj edhe mund të them se lidhja ime me parimet e Partisë Socialiste është e hershme.
Gjatë dy viteve të fundit kam punuar si eksperte e jashtme e BERZH, pranë kabinetit të Ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes dhe kam patur mundësi të vëzhgoj nga afër reformat që janë ndërmarrë në fiskalizim, digjitalizimi, në përmirësimin e klimës së biznesit, etj. Me punën time, modestisht mund të them se jam përpjekur shumë që të kem edhe unë një ndikim sado të vogël në këto reforma, duke u përpjekur të ndjek të gjitha çështjet që vinin pranë zyrës tonë po edhe nëpërmjet propozimeve të ndryshime ligjore, si ligji për mbështetjen dhe zhvillimin e startupeve inovative.
Linja e këtyre reformave mendoj se është e duhura dhe patjetër që duhet kohë që edhe qytetarët t’i ndjejnë efektet e tyre. Ndaj dhe kur dëgjova thirrjen e Kryeministrit për figura të reja që duan t’i bashkohen ekipit të PS, mendova t’a provoj.
Nuk besoj tek kritikat nga divani i shtëpisë apo kafja, besoj tek puna dhe tek ideja se ndryshimi vjen nga secili prej nesh, nga mënyra si mendojmë, si punojmë, sjellja jonë me njerëzit, si e shohim rolin tonë në pozicionin e punës dhe vullneti i mirë për të gjetur zgjidhje.
Kush është lidhja që keni me PS, kur ka nisur rrugetimi? Ajo që më ka lidhur me Partinë Socialiste janë bindjet e mia të majta dhe besimi në një shtet social me mundësi të barabarta, ide këto që u përforcuan edhe më tepër gjatë edukimit tim në Angli, në një universitet të themeluar pikërisht nga individë me këto parime dhe synime. Jam larguar për studime kur isha 17 vjeç dhe jam rikthyer pas studimeve universitare ndaj edhe lidhja ime konkrete me strukturat e Partisë Socialiste ka nisur me aplikimin në platformën “Deputeti që Duam”.
Kështu, përgatita një video prezantuese, arrita të përzgjidhem mes grupit të parë të aplikantëve të cilët kaluan në një trajnim përgatitor me ekspertë të huaj dhe vendas e në fund, i’a dola të përzgjidhem si një ndër kandidatët e rinj të listës për deputet të Qarkut të Tiranës, si nr. 31, në vitin e 31-të të jetës sime.
Çfarë mendon familja për angazhimin tuaj në politikë edhe me Partinë Socialise?
Kam patur një mbështetje të jashtëzakonshme nga familja, pa të cilën nuk e di nëse do të kisha marrë guximin t’i futem këtij rrugëtimi. Shoku im i jetës, Besi, ka qënë një nga shtysat kryesore që më nxiti të aplikoja. Ka qënë një vendim që e kemi diskutuar gjatë bashkë por të dy mendojmë që përfshirja në politik-bërje është përgjegjësi qytetare dhe dua shumë që t’a tregoj këtë gjë me punët që bëj, me angazhimet që ndërmarr dhe me mënyrën se si e shoh unë përfshirjen në politikë, qoftë kjo në Parlament apo në struktura të tjera, siç është edhe roli që kam aktualisht.
Nga ana tjetër, prindërit ishin ata që më motivuan të kthehem dhe të punoj në Shqipëri. Nga aspekti personal e kuptojmë të gjithë që është një sakrificë, terreni nuk është i lehtë, fushata kërkon shumë energji dhe pak kohë të lirë për familjen, ndërkohë që edhe angazhimi më pas, nëse do të vij, do të kërkojë energji të reja- nuk është e lehtë, por gjërat që vlejnë, rrallë herë janë të lehta.
Nga studimet për ekonomi në politikë, cila është pika kyçe që i lidh këto të dyja për Borën?
Politika dhe Ekonomia lidhen ngushtësisht me njëra tjetrën, mbi të gjitha duhet theksuar se politikat ekonomike janë ato që rrisin mirëqënien e qytetarëve, dhe politika pa ekonominë nuk mund të konceptohet. Të kuptosh se cilat janë strategjitë e duhura ekonomike që duhet të ndjeki një vend dhe të luftosh për to në parlament është një avantazh i fortë për një politikan. Megjithatë ajo që ka më tepër rëndësi është që një politikan të mund ta rrethojë vetën me staf të kualifikuar dhe të ketë vizionin e duhur për t’a çuar Shqipërinë përpara.
Kush është “kali yt i betejës” në këtë fushatë? Cila mendoni se është pika më e fortë e programit?
Unë vërtet kandidoj si Bora në këto zgjedhje, por ndërkohë jam pjesë e një ekipi, dhe si e tillë nuk do të isha pjesë e skuadrës së Partisë Socialiste nëse nuk do të besoja tek programi që ofron. Sfidat kryesore për të cilat ne duhet të vijojmë punën janë vaksinimi dhe rindërtimi, proçese të nisura ku është bërë një punë e mirë, por që duhet ti vazhdojmë me të njejtin hap edhe më tej.
Ndërkohë, puna ime ka qënë sipërmarrja dhe inovacioni, rrjedhimisht edhe të rinjë që kanë ide dhe dëshirë të krijojnë dhe të kthejnë idetë e tyre në biznes. Duke i njohur mirë këto fusha por edhe sepse vërtet besoj në rëndësinë e tyre, fokusi im personal do të jenë pikërisht këto. Edhe në faqen time www.boramuzhaqi.al ku flas për atë që unë përfaqësoj dhe idetë e mia, rendis pikërisht prioritetet që unë mendoj se duhet të marrin vëmendje.
Përpos projektligjit për startupet inovative i cili është në fazën e përmbylljes dhe shumë shpejt besoj do të vihet në zbatim, kam edhe disa nisma të tjera që shpresoj të kem mundësinë t’i aplikoj. Një ndër to lidhet me masat për të ulur nivelin e ushqimeve të shpërdoruara apo të asgjësuara nga bizneset dhe krijimin e disa mekanizmave motivues, duke ndihmuar njëkohësisht bizneset dhe shtresat në nevojë.
Një tjetër projekt lidhet me ata që quhen ‘nomadë digjital’ persona të cilët punën e tyre nuk e kanë të lidhur me një vend apo zyrë, por punojnë kudo në botë, sidomos në vende me natyrë të bukur. Do të doja shumë që Shqipëria të bëhej një destinacion tërheqës për ta, ndihmuar me politika nxitëse dhe lehtësuese.
Cila është arsyeja kryesore që vendosët të ktheheshit në Shqipëri?
Do të me pëlqente shumë nëse pyetja një ditë do të bëhet- Pse vendose të ikësh në Angli, dhe jo pse u ktheve. Shpesh e dëgjojmë këtë, ‘ç’pate që u ktheve’ dhe më vjen keq.
Nuk e mohoj që bota ka universitete elitare, të cilat janë rezultat i një pune qindra vjeçare dhe sigurisht që jam shumë pro mundësisë së të rinjve për t’u shkolluar jashtë nëse kjo është dëshira e tyre. Megjithatë, kjo duhet parë si një investim në veten e tyre, të cilin më pas do dëshiroja që t’a kthejnë në Shqipëri. Këto nuk janë fjalë boshe, thënë nga dikush që nuk e ka kaluar vet diçka të tillë. Unë jam e rrethuar me njerëz që kanë eksperienca të tilla, me njerëz që kanë studjuar jashtë, në Evropë apo SHBA, dhe tashmë punojnë në Shqipëri. Ashtu, siç janë dhe shumë të tjerë të cilët kanë studiuar brenda vendit, dhe sot po ashtu janë jo vetëm të sukseshëm në profesionin e tyre, por edhe një vlerë e shtuar për vëndin tonë.
Thelbësor në marrjen e vendimit për t’u kthyer ishin prindërit e mi. Ata kanë investuar në këtë vend, punojnë fort çdo ditë dhe besojnë që Shqipëria ka mundësi dhe potencial.
Unë jam kthyer në Shqipëri në shtatorin e vitit 2013, që përkoi me thirrjen e Kryeministrit Rama, që të rinjtë të kthehen në Shqipëri. E mora shumë personale këtë thirrje dhe vendosa të vi, edhe pse vendosa të mos ti bashkohem administratës, po ti merrja eksperiencë në sektorin privat. Në 2013 nisi karriera ime profesionale në një nga kompanitë ndërkombëtare më të mëdha private të konsulencës me zyra në Tiranë.
Çfarë mendoni për përfaqësimin e të rinjve vitet e fundit në politikë?
Mendoj që të rinjtë janë shumë skeptik ndaj përfshirjes në politikë, megjithatë patjetër që ka patur angazhime nga ta në parti politike të ndryshme. Por ky angazhim mbetet ende në nivele të ulta në vlerësimin tim, dhe personalisht do doja të shihja edhe më shumë të rinj të cilët përfshihen aktivisht në politikë.
Megjithatë deri diku e kuptoj edhe këtë nivel mospërfshirje. Nuk është një terren i lehtë, dhe kërkon sakrifica në kohë, energji, etj, ndaj edhe nuk është një vendim i lehtë për t’u marrë. Ndoshta kjo është detyra jonë si përfaqësues të të rinjve në politikë, që të japim një shëmbull pozitiv, dhe të nxisim idealizimin tek rinia. Por mbi të gjitha rinia duhet të kuptojë fuqinë që ka vota e tyre, dhe të përfshihen për të përzgjedhur ata që ata duan që të qeverisin vendin.
Te pelqen ti ndjekesh debatet politike?
Për shkak të angazhimeve gjatë këtyre dy viteve, ka qënë një pjesë e punës ndjekja e debateve politike. Janë disa formate debatesh të cilat i ndjek me kënaqësi, sidomos kur diskutohen edhe tema që kanë natyrë ekonomike, pasi kam shumë dëshirë të shoh përplasje idesh dhe konceptesh mes profesionistëve. Mendoj se është shumë e rëndësishme që të jemi të informuar për zhvillimet që ndodhin jo vetëm në vend, por edhe në rajon dhe më gjërë, dhe debatet politike janë një nga mënyrat për të kuptuar argumentet e përfaqësuesve të ndryshëm. Përpiqem gjithashtu të ndjek edhe debatet politike që zhvillohen edhe në vendet europiane apo edhe në Sh.B.A.
Kush ështe Bora jashtë politikës?
Unë si jashtë dhe brenda politikës jam një vajzë e thjeshtë që punon çdo ditë nga mëngjesi herët e deri darkave vonë. Do duhesh të cilësohesha si një person që gjithmonë i gjen punë vetës, dhe që rrallëherë ndodh të kem mbasdite të lira. Pasioni im kryesor që më ka ndjekur gjatë jetës është dëshira për të zgjeruar njohuritë e mia, kështu që përpiqem me sa mundem që të lexoj si artikuj të fushës time të ekonomisë, por edhe mbi zhvillimet më të fundit në rajon dhe në botë. Patjetër që pak kohë mbetët për të lexuar libra artistik, por përpiqem që mbi komodinë të kem gjithmonë një titull të ri.
Ndoshta jo shumë e dinë, por unë jam dhe nje audituese ligjore, e akredituar si në Angli, edhe në Shqipëri, dhe shpesh mbasditet e mia pas pune, përfshijnë dhe angazhime të kësaj natyre. Por duhet të thënë se pasioni im i vërtetë është eksplorimi i vëndeve të reja. Gjatë vitit të fundit, nisur edhe nga pandemia, me një grup miqsh kemi udhëtuar nëpër Shqipëri nga Vermoshi e deri në ishullin e Tongos, skajet më të largta të Shqipërisë dhe shumë të tjera midis. Nëse doni jam e bindur, që mund të gjeni edhe artikuj amatoresk reportazhi për këto eksperienca shkruar nga unë.
Kush është “role model” i yti në politikë?
Modele të mira politikanësh për t’u ndjekur ka shumë dhe mua më pëlqen t’i degjoj të gjithë për të kuptuar më mirë mënyrën e tyre të të menduarit dhe elementët pozitiv që sjellin. Por nëse do duhet te veçoja dikë, do veçoja Kryeministren e re finlandeze, Sanna Marin. Ndër gjërat që vlerësoj tek Sanna është vendosmëria për të mos u dorëzuar. Ajo kandidoi në këshillin bashkiak dhe nuk fitoi, e megjithatë, nuk u dorëzua dhe sot është drejtuesja më e re në botë, vetëm 35 vjeç dhe Kryeministër në Finlandë. Sanna mbi të gjitha ka treguar gjatë kësaj periudhe që ka mbetur një njeri i thjeshtë.
E veçova Sanna për ato vlera njerëzore që ajo përfaqëson sepse sigurisht që Finlanda është një shtet i veçantë, dhe ka pak vend për krahasim. Mbi të gjitha mendoj se më motivojnë jo vetëm politikanët që janë të zotë në fushën e tyre, por politikanët që mbesin njërëz të thjeshtë dhe njerëzor mbi të gjitha, dhe vijojnë të jenë pjesë e elektoratit të tyre, pa u shkëputur nga realiteti që përfaqësojnë.
Përse qytetarët dhe veçanërisht rinia duhet të votojnë numrin 31 në listën e PS?
Së pari, është e rëndsishme që qytetarët shqiptarë të kuptojnë se në këto zgjedhje duhet të votojnë Partinë Socialiste, si një ekip që beson se Shqipëria është e ardhmja jonë dhe që do vazhdojë të punoj për këtë qëllim. Të gjithë reformat e ndërmarra gjatë këtyre viteve, procesi i rindërtimit dhe vaksinimit duhet medoemos të çohen përpara, dhe unë besoj se partia socialiste është forca politike e duhur për t’a realizuar këtë detyrë në mënyrën më të mirë të mundshme. Jo më kot, aplikova për t’u bërë pjesë e Partisë Socialiste.
Nga ana personale, unë mendoj se u ofroj qytetarëve një profil tek i cili gjejnë veten. Ndonëse nuk mund të bëj premtime të mëdha, të cilat dyshoj se mund t’i mbaj, unë mund të premtoj veprime konkrete për të cilat jam e sigurt që do jem në gjëndje të përgjigjem në të ardhmen.
Nëse unë do të arrij të jem pjesë e parlamentit, do të kem një faqe online ku çdo qytetar i Qarkut të Tiranës një ditë në javë do mund të rezervojë 15 minuta për t’u takuar dhe për të diskutuar së bashku problematika, kritika apo edhe vlerësime për punën time. Besoj se ata që kanë punuar me mua e dinë kulturën time të punës dhe sa e vlerësoj përgjegjësinë e përfaqësimit. Shpresoj që edhe ata që nuk më njohin t’a kuptojnë. Unë e shoh angazhimin në administratë si një rol në shërbim të qytetarëve dhe të tillë e kam trajtuar për dy vite. Nëse do të kem fatin të jem në Parlament, patjetër që do të ndjek të njëjtën linjë.
Në parlament do doja të shkoja me nisma konkrete që vijnë nga qytetarët, për të shfrytëzuar maksimalisht të drejtën e çdo deputeti për të propozuar nisma ligjore. Prandaj gjatë kësaj periudhe motoja e takimeve të mia është “Ju flisni, unë mbaj shënime”. Pa dashur të keqkuptohen lexuesit, unë nuk mendoj që jam rastësisht në këtë pozicion profesional.
Janë vite investimi në edukim dhe vite të tjera pune për të bërë atë ndryshim sado të vogël në fushën time profesionale, ndaj edhe nuk mendoj që karakteri apo botëkuptimi im do të fillojnë të ndryshojnë tani. Them se jam mjaftueshëm e formuar, profesionalisht dhe personalisht, sa për të mos u tjetërsuar rrugës.
Çfarë do i thuash të rinjve që duan të angazhohen në politike?
Mendoj se çdo fushë e jetës ka nevojë për përfshirje nga të rinjtë, por patjetër që politika është më thelbësorja. Nuk e di për ju, por unë jam lodhur duke dëgjuar komente nga të rinjtë që kjo nuk bëhet, ajo nuk bëhet, dhe mbi të gjitha Shqipëria nuk bëhet. Të thuash diçka nuk bëhet është shumë më e lehtë, por të ndërmarrësh hapa konkret çdo ditë drejt një qëllimi është shumë e vështirë, megjithatë pa punë dhe pa përpjekje Shqipëria nuk mund të ketë zhvillim. Prandaj do të të doja t’i thosha të gjithë të rinjve që kontributi i tyre është i domosdoshëm, dhe duhet të jenë ata që përpiqen për të çuar përpara atë që kanë filluar prindërit dhe gjyshërit tanë./ALPE News