Nga Adriatik Doçi/
Fushata për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit konfirmon edhe një herë se Lëvizja Socialiste për Integrim është një parti me natyrë familjare, simbol i abuzimit me pushtetin dhe që promovon vjedhjen. Gjatë fushatës në Kamëz, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, shoqërohej nga Eduart Greci, i kapur duke vjedhur naftën e burgut të Drenovës, ku shërbente si jurist. Sot nuk dihet se çfarë ka ndodhur me dosjen e Grecit, por Kryemadhi kërkon mbështetjen e tij, për të ardhur në pushtet, për të vijuar avazin e lënë në mes në 2017.
Në Durrës, Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta kanë kandiduar Artur Bakun, i arrestuar në 2015, kur ishte drejtor i pyjores në Fushë Krujë. Baku u arrestuar pasi sekuestronte drutë e prera në mënyrë të paligjshme dhe më pas ua shiste palëve të treta. Në formularin e dekriminalizimit Baku thotë se dosja e tij është mbyllur, por bien në sy se kandidati i LSI-së ka ndryshuar emrin, për arsye të paqarta. Emri i tij i parë është Afrim.
Në Durrës, në emër të LSI, kandidon për deputet edhe Ramazan Topuzi, ish-drejtori i SHKB-së së Burgjeve, me një të kaluar problematike. Topuzi është pushuar dhe është emëruar disa herë si ish-punonjës i Policisë së Shtetit, për cenim të figurës dhe mangësi të theksuara në kryerjen e detyrë. Në vijim u bë avokat, kur është kallëzuar dy herë për ndikim të paligjshëm ndaj prokurorit dhe gjyqtarëve. Topuzi, i denoncuar nga Sali Berisha edhe si avokat i pilotit të drogës Giorgio Riformato, sot kërkon vota në Durrës bashkë me Monika Kryemadhin.
Po në Durrës, LSI-së kandidon Gazmir Tahirin, ish-drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme Detare. Në vitin 2017, ish-zëvendëskryeministrja Ledina Mandija, përfaqësuese e PD-së, kërkoi të shkarkohej nga detyra, duke e akuzuar Tahirin se kishte marrë një anije pronë e kapitanerisë së porteve, duke dalë në lundrim, kur propagandonte simbole partiake.
Në Lezhë, Meta dhe Kryemadhi kandidojnë ish-drejtorin e Bordit të Kullimit, i akuzuar për pastrimin e specialistëve, për t’i zëvendësuar me militantë partie. Në emër të LSI-së në Lezhë kandidon edhe Ertila Nikolli, të cilës Edi Rama i dha ultimatum në korrik të 2017 që të jepte dorëheqjen brenda 24 orëve si drejtuese e Hipotekës në Laç.
Në Gjirokastër, për LSI kandidon edhe Erald Alika, i arrestuar vite më parë, pasi në makinën e tij u gjet një kallashnikov.
Në Tiranë, Monika Kryemadhi ka kandiduar një personazh që është deklaruar nga Ilir Meta. Bëhet fjalë për Petrit Bara, i dekoruar nga Ilir Meta me titullin “Meshtër i Madh” në shtator të vitit 2019. Po në Tiranë kandidon edhe Vojo Bregu, ish-sekretarin e përgjithshëm në Ministrisë së Bujqësisë, me dosje në SPAK për afera me tendera.
Në Tiranë kandidon për LSI-në Esmeralda Demiraj, e bija e ish-prokurorit Skënder Demiri, i cili u arrestua në shtator të 2020 së bashku me gjyqtaren Mimoza Margjeka, me urdhër të SPAK, për një rast të dyshuar korrupsioni në drejtësi. Në listat e LSI-së është edhe Aldi Fusha, djali i ish-kryeprokurorit të Tiranës, Petrit Fusha, i lakuar për pasuri përrallore dhe që u largua nga drejtësia në shkurt të vitit 2019 nga frika e Vetingut.
Pjesë e listës së Tiranës është edhe Përparim Spahiu, i cili rezulton se kishte përdorur jshtë vendit makina në pronësi të Drejtorisë së Patentave, kur drejtor ishte vëllai i tij, Ylli Spahiu, aktualisht me dosje në SPAK.
Listën e Fierit, Kryemadhi e ka pasuruar me Ardian Alushin, ish-drejtori i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë, i kallëzuar penalisht për një dëm të shkarkuar shtetit me vlerë 21 milionë euro.
Ish-kryetarja e Bashkisë së Përrenjasit Miranda Rira, e kallëzuar në SPAK për për shpërdorim detyre, kandidon për LSI- në Qarkun e Elbasanit. Në Elbasan, në emër të LSI-së kandidon për deputet edhe Sokol Skura, aktualisht nën masën ‘arrest shtëpie’, pasi u arrestua në flagrancë duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur. Pika më e fortë e LSI-së në Elbasan është Dashmir Xhika, ish-drejtori i famshëm i ARSH, i arrestuar për afera me vlerë miliona euro. (Shqiptarja.com)