Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka deklaruar se në zgjedhjet e 25 prillit të gjithë qytetarët që do të votojnë nuk do t’u lejohet celulari brenda në qendrën e votimit.

I ftuar në emisionin “Java” në RTSH, Celibashi tha se për herë të parë në qendrat e votimit do të instalohen kamera vëzhguese, por nuk ndërhyn në zonën ku do të votohet.

Pyetje: A mund të fotografohet vota në këto zgjedhje?

Celibashi: Vota nuk mund të fotografohet. Ne kemi vendosur që qytetari të mos lejohet të futet në qendër me aparat celular. Ta zgjidhi si të dojë po në qendrën e votimit nuk do lejohet të futet me celular.

Në zgjedhjet e shkuara është lejuar, por këto zgjedhje kemi vendosur që të mos lejohet. Gjithashtu për herë të parë do të instalojmë kamera vëzhguese në çdo qendër votimi. Një kamerë që do të monitorojë gjithë procesin e votimit, por jo fletën e votimit.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi gjithashtu konfirmoi se në zgjedhjet e 25 prillit Diaspora nuk do të votojë.

Celibashi deklaroi se Shqipëria nuk e ka Diasporën, sepse nuk është e regjistruar dhe kjo është përgjegjësie e institucioneve që duhet ta kishin bërë punën e tyre më mirë.

Pyetje: Do të votojnë emigrantët?

Celibashi: Emigrantët nuk do të jetë e mundur të votojnë në këto zgjedhje. Janë rreth 3500 emigrantë që kanë deklaruar vendbanimin dhe as për ata nuk arritëm të gjenim një alternativë.

Ishte varianti i postës, por sa kohë ne nuk kaluam hapin e parë atë të modialiteteve të regjistrimit të kërkesave nuk mund të bëhet.

Kur kam marrë këtë detyrë kam menduar se do ishte një numër prej qindra, mijërash, por kur hyra aty pash që nuk e kemi Diasporën. Pash që nuk ishte e regjistruar. Institucionet duhet ta kishin bërë këtë punë më mirë dhe ta kishin nisur më herët.