Ditën e sotme është hapur për qarkullimin e automjeteve një tjetër aks i Unazës së Madhe të Tiranës, segmenti nga rrethrrotullimi i TEG deri te mbikalimi i Farkës.

Kryeministri Edi Rama, duke u kthyer nga Durrësi ku zhvilloi sot disa takime në kuadër të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 25 prillit, kaloi nga ky segment i sapohapur.

“Rrugës për shtëpi nga segmenti i ri i Unazës së Madhe të Tiranës, i sapohapur sot”, shprehet Rama, i cili ka publikuar një video ku tregohet rruga e sapohapur.

Lidhja e lotit të parë të Unazës së Madhe me mbikalimin e Farkës do të bëjë shfryrjen e trafikut për të gjithë zonën. Gjithashtu ka nisur puna për projektimin e loteve 4, 5, 6, që do të jenë lote shumë të rëndësishme për të bërë ndërlidhjen e kësaj unaze të re dhe sheshit “Shqiponja”, ku po punohet me ritme të shpejta.

Shumë shpejt do të buxhetohet edhe loti i 4-t dhe i 5-të i Unazës Lindore që fillon nga rrethrrotullimi i Shkozës deri tek IKV. Këto dy lote do të bëjnë të mundur lehtësimin e trafikut në Rrugës së Dibrës dhe IKV-së.