Ministria e Shëndetësisë së Kosovës njoftoi se do të dërgojë në Shqipëri rreth 60 punonjës shëndetësie për t’u vaksinuar kundër koronavirusit.
Ministria e Shëndetësisë thotë se lista e mjekëve të Kosovës i është dërguar tashmë autoriteteve shqiptare, të cilat kanë shprehur më herët gatishmërinë që bluzat e bardha nga Kosova të vaksinohen në Kukës.“Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj e informoi homologen e tij, Ogerta Manastirliu për listën e vullnetarëve për vaksinim dhe në koordinim midis autoriteteve të dy shteteve, do ta bëhet edhe menaxhimi i aspekteve logjistike dhe vaksinimi i tyre”, theksohet në njoftim. Më herët, Shqipëria pohoi se ka vënë 100 doza të vaksinës kundër koronavirusit në dispozicionin të mjekëve nga Kosova, e cila mbetet vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor që ende nuk e ka nisur fushatën e imunizimit kundër koronavirusit.
Kosova pret që të marrë falas 100.800 doza të vaksinës së AstraZeneca-s përmes programit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX. Këto vaksina është paralajmëruar se do të arrijnë në muajin mars. Zyrtarët qeveritarë po ashtu kishin deklaruar se kanë arritur marrëveshje me kompaninë Pfizer për sigurimin e 500.000 dozave të vaksinës, por nga kjo kompani, kanë deklaruar më herët për “REL” se ende janë në diskutim me Qeverinë e Kosovës.