Kryeministri Edi Rama ka nisur konferencën online, “Rruga drejt 25 prillit”. Gjatë fjalës së tij Rama nuk i kurseu akuzat në drejtim të opozitës, duke i marrë me radhë figurat kryesore. “Ne kemi një program pune, një plan veprimi, sepse ne jemi qeveria dhe ajo që ne kemi për detyrë, është të themi qartë atë që do bëjmë dhe të bëjmë atë që themi. Ne nuk jemi një koalicion kap ça të kapësh. KÇK fiton, Shqipëria humbet, që nga Luli, te Monika që lufton të mbajë Lulin lidhur për hir të Ilirit dhe Saliut që duan të kapin pushtetin me duart e Lulit.
“Agron Duka do të mbetet në historinë e estradave politike si i vetmi kryetar partie pas vitit 1912 që nuk e nxori asnjë ditë nga garazhi partinë e tij Agrare, që ja justifikon emrin sepse ai vetë jeton me tagjinë e SHQUP-it. Duke pritur që Basha ta bëjë pakëz ministër bujqësie, meqë Agroni, si gjeli i Agrares, përfaqëson aq shumë pula, zogj e vezë, sa për kotec i shkon vetëm ministria ushqimit.
Fatmir Mediu, që vulën e Partisë Republikane e mban në xhep si certifikatë besnikërie ndaj pronarëve, por të vetmen certifikatë prone që ai ka mundur të sigurojë për ta, është hipoteka e vendit të tij si deputet i përjetshëm në pronën e SHQUP-it.
Dash Shehi që ka 100 vjet që i jep të djathtës frymën liberale të rakisë i cili arsyen më të fortë për të vazhduar të jetë deputet ka kafenenë e parlamentit.
Vangjel Dule që në TV është balli i lartë i minoritetit grek, e në KÇK e koalicionit është fundshpina e ulët e sekserit të Çamërisë, Tym Idrizi, i doganave, që deputetllëkun e ka për të shitur vende pëllumbash në zyrat e shtetit.
Nard Ndoka i vetmi profil filozofik në atë grumbullim personazhesh, që as humoristi me humorin më të zi nuk do t’ja servirte një popull. Nuk mungon një personalitet që kartëvizitën e ka tronditës:’Xhelal Mziu deputet’. Humori bëhet i zi fare kur këta thoin na jepni votën që të ndalojmë votën”, tha Rama.