Nga Artur Ajazi
Ç’më kujtove Sali Berishën e 27 viteve të shkuara (1994) Lulzim, kur i ra Shqipërisë cep më cep, ngazëllehej dhe thërriste “fitore-fitore”, dhe pastaj humbi aq thellë në referendumin e tij, sa nuk doli 72 orë nga shtëpia. Tek pashë vargun e stisur të makinave që kishin dalë të të prisnin në aksin Lushnje-Fier, tek të pashë tek mblodhe sërish duke shkelur rregullat e distancimit antivirus ata dhjetra njerëz në sheshin e atij qyteti, gjëja e parë që mendova, ishte se ti dhe opozita do të humbni thellë në 25 Prill. Vetëm një si ti Lulzim, mund të luajë hapur me shëndetin e shqiptarëve, vetëm e vetëm të sajosh skena qesharake mes akseve nacionale. Të imitosh në çdo milimetër “babain politik”edhe pas 27 vitesh, të bësh fushatë me buri makinash dhe flamuj të dalë boje, nuk është se fiton pushtetin. Thjesht po i krijon bezdi të madhe qytetarëve, dhe do të marrësh reston e tyre.
Duket sikur Meta e ka “ndjellë” humbjen tënde Lulzim, ose e ka parë Mona nga filxhani. E ka quajtur 25 Prillin “referendum”, kur ato janë zgjedhje të lira dhe të ndershme,dhe aspak të ngjashme.Sa për kulturë. Referendumi është një procedurë e demokracisë nëpërmjet të cilit, qytetarët thirren për të shprehur një qëndrim mbi një propozim që u nënshtrohet atyre, që një autoritet tjetër ka marrë ose që do të marrë. Referendumi me përkufizim, shërben për të përforcuar dhe madje për të ratifikuar marrjen e vendimit me shumicë të thjeshtë në dëm të interesave të pakicave dhe të individëve. Kurse 25 Prilli, është dita e përcaktuar me ligj, si afati i paracaktuar nga Kushtetuta, për të votuar vazhdimin e qeverisjes, në rastin konkret nga Edi Rama. Asnjë ngjashmëri ligjore apo hamendësore nuk ka mes tyre. I vetmi që e ka quajtur “referendum” 25 Prillin ka qenë Ilir Meta, njeriu që ka ambicje të forta të jetë pas zgjedhjeve kryetari de jure i opozitës. Po gabon rëndë Lulzim, po shkel mbi “tapetin” e gurtë të Ilirit, dhe do të biesh shpejt.
Ç’më kujtove Sali Berishën me pozat dhe mënyrën si i drejtohesh militantëve të partisë, atyre që besojnë akoma tek ju. Dihet se humbja e referendumit për ndryshimin e Kushtetutës, për Berishën ishte traumatike, dhe pothuajse diçka e tillë ka gjasa të ndodhë edhe me ju Lulzim pas humbjes fatale të zgjedhjeve në 25 Prill. Kjo sepse ti, nuk ka dalë të bësh fushatë, por thjesht seguenca filmike me shaka elektorale, diku nga makina, diku nga sheshet e qyteteve, nga ku asgjë nuk ke dhënë dhe ke marrë. Veç thirrjeve “Rama ik”, apo dhe fjalorit banal nga mitingashët e paguar, fushata juaj ngjason me taborrin që merrte dikur Berisha kur ftonte shqiptarët ta votonin. Gjithmonë ka ndodhur kjo. Eshtë efekti i të kundërtës, mbi atë që ke menduar. Fushata në Fier, Elbasan, Durrës, apo Tiranë, bëhet me projekte në dorë. Tu dalësh ballazi atyre njerëzve, dhe tu tregosh rrugët dhe mënyrat, se si “do të gjesh paratë për rrogat, pensionet, fermerët”, etj.Tu tregosh atyre, jo përrallat e “Andërsenit Berisha” me “lumturi dhe parajsë fiskale”, por tu tregosh me vepra ç’do bësh me rindërtimin, vaksinimin, aderimin në BE…. Por kjo nuk ka se si të ndodhë. Sepse ato i ka nisur dhe po i bën Edi Rama. Po bën rindërtimin, po vaksinon popullin, po punon ditë-natë mbi projektet e nisura, dhe nuk po e bën me borie makinash dhe turma të ekzaltuara. Ç’më kujtove Berishën o Lulzim, por atë të 1994.
Je njeriu i vetëm që ke mbetur në hijen dhe diktatin e tij, jo me pahir por me dëshirë.