Mimi Kodheli në zgjedhjet e 25 prillit do të duhet të luftojë fortë për të siguruar një vend në Parlamentin e ri. Ish-ministrja e Mbrojtjes është deputete që prej vitit 2009, kur për herë të parë u ndryshua sistemi zgjedhor nga gara ballë për ballë (mazhoritar) dhe u kalua me lista apo siç quhet ndryshe proporcional rajonal.
Znj. Kodheli është e renditur në vendin e 21 në listën e Qarkut të Tiranës që në total ka 36 mandate. PS ka pak gjasa të marrë 21 mandate në Tiranë dhe shpresë mbetet që ajo të sigurojë mbi 10 mijë vota preferenciale për të qenë sërish në Parlament.
Gjatë intevistës me Loneta Prognin në Euronews Albania, deputetja socialiste thotë se përtë nuk ishte surprizë dhe e cilëson logjikë të drejtë që “pesha të rënda apo senatorë” të politikës së majtë duke përfshirë atë, Fatmir Xhafajn dhe Pandeli Majkon të jenë poshtë vendeve të sigurta.
“Kam bërë një bisedë me kryetarin e partisë dhe kemi diskutuar mbi logjikën mbi përbërjen dhe renditjen e listës. Nuk ka qenë ndonjë surprizë e madhe për mua”, shprehet znj. Kodheli, e cila u bë pjesë e politikës në vitin 2002 kur u zgjodh zv.kryetare e Bashkisë Tiranë.
Për të renditja mund të ndryshojë në fund të procesit zgjedhor duke u shprehur e bindur e mund të marrë numrin e nevojshëm të votave preferenciale për të qenë sërish deputete.
“Ne mund të thyejmë të famshmin hers apo prag, duke pasur eksperiencën, mbështetjen nga PS dhe njerëz të tjerë, qytetarë që me parti nuk merren kurrë. Besoj se nuk do të ishte e vështirë për ne për ta kapërcyer këtë prag dhe për të dalë nga ai pozicion në pozicione shumë më të larta”, shtoi ish-ministrja e Mbrojtjes.
Ish-Prefektja e Tiranës nga ana tjetër thotë se ka shumë pak kohë në dispozicion për t’u shpjeguar qytetarëve mënyrën e votimit dhe i druhet faktit se mund të ketë shumë vota ta pa vlefshme.
Znj. Kodheli thotë se “vota për individin është nul nëse nuk shoqërohet me votë për partinë” ndërsa “nëse votohet vetëm për partinë, atëherë kjo votë është e vlefshme dhe në fund përpjesëtohet për të gjithë kandidatët”. Ajo iu referua rastit të Kosovës ku pas ndryshimit të sistemit zgjedhor pati shumë vota të pavlefshme.
“Rëndësi ka marrja e mbi 10 mijë vota dhe ti ndodhesh në Parlament duke kapërcyer dikë tjetër që nuk ka mundur dot t’i marrë kaq vota. Shqetësimi im i vetëm është se krijohet ideja që jemi shumë vonë për t’ia shpjeguar publikut se si do të votohet. Fakti që nuk ka dalë ende fleta e votimit e bën këtë të vështirë. Besoj se një muaj nuk është i mjaftueshëm për t’i shpjeguar gjithkujt se si duhet votuar”, tha znj. Kodheli.
“Nuk është e drejt që të jetë kështu duhet që të gjithë të jemi të barabartë para këtij veprimi por nga ana tjetër, mediat të ndihmuar nga kandidatë të mund të shpjegojnë në vijimësi. Ju ftoj që ta bënë këtë që vota të vijë deri në kuti për një forcë politike dhe individ të përkthehet në një votë të drejtë dhe pa gabime”, shtoi deputetja socialiste.
Për emrat që mungojnë në listën e kandidatëve për zgjedhjet e 25 prillit, Mimi Kodheli tha se “ka shumë prej tyre që e kanë merituar që të vazhdojnë të jenë në Parlament”.