E para në listën e PS-së në Berat, Hatixhe Konomi deklaroi sot se “Berati ka nisur rrugën e transformimit rrënjësor nëpërmjet ndërhyrjeve madhore në infrastrukturë dhe jo vetëm, por këtë rrugë kurrsesi nuk mund ta ndalim”.
“Kam mbaruar studimet e larta në fakultetin e Gjuhëve të Huaja dhe më pas studimet master në Paris. Jam nënë e dy fëmijëve të cilët i rris me përkushtim dhe sakrifica si çdo prind në këtë vend dhe dua që Berati të jetë e ardhmja e tyre”, tha ajo.
Një shoqëri e mirë, sipas saj, “është në shoqëri që tregon dashamirësi dhe solidaritet për njerëzit në nevojë dhe këtë gjë e kam kuptuar më së miri gjatë gjithë eksperiencës time profesionale, eksperiencë dedikuar shërbimeve sociale, arsimit dhe shëndetësisë”.
Duke qenë pjesë e një skuadre fantastike në bashkinë e Beratit, Hatixhe Konomi tha se “kam marrë shembullin më të mirë se si angazhimi publik duhet të përkthehet në vlera në interesin më të lartë të qytetarëve shqiptarë”.
“Që prej vitit 2013 turizmi në bashkinë e Beratit ka njohur një hov të jashtëzakonshëm zhvillimi. Shumë qytetarë beratas kanë kthyer shtëpitë e tyre në bujtina dhe në struktura akomoduese. Unë dua që të jem zëri i tyre në parlament të mbështesë interesat e tyre se janë pikërisht këta qytetarë që mbajnë në këmbë ekonominë lokale, ekonominë e gjithë bashkisë së Beratit”, shtoi ajo.
“Jemi të gjithë dëshmitarë se Berati ka nisur rrugën e transformimit rrënjësor nëpërmjet ndërhyrjeve madhore në infrastrukturë dhe jo vetëm, por këtë rrugë kurrësesi nuk mund ta ndalim. Prandaj dhe unë ju bashkova familjes së madhe socialiste sepse mendoj se është e vetmja forcë pranë qytetarit. Shtëpitë e beratasve duhet të gumëzhijnë nga zërat e fëmijëve, të nipërve dhe mbesave se Berati duhet të jetë e ardhmja e fëmijëve tanë”, shtoi ajo.