Ndryshimet që kanë ndodhur në Tiranë, veçanërisht transformimi në Njësinë 8, apo siç njihet ndryshe, Zemra e Tiranës kanë vendosur një standard nga i cili nuk mund të ketë më kthim mbrapsht”. Kështu u shpreh sot gjatë prezantimit nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deputeti Ervin Bushati, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste të Tiranës që garon për një tjetër mandat po në Njësinë 8 në kryeqytet. Në një bashkëbisedim me të rinj të kësaj njësie, Bushati tha se i gjithë ky transformim ka ardhur pasi në pushtet është Partia Socialiste, e cila është e vetmja që edhe në kohë të vështira iu qëndron pranë qytetarëve.

“Mbaj mend që nga viti 2019 që jam në Njësinë 8, në Zemrën e Tiranës, çfarë ndryshimesh rrënjësore kanë ndodhur, ndryshime që nuk kanë rënë nga qielli, por kanë ardhur sepse i ka realizuar një forcë e mbarë siç është Partia Socialiste. Ndryshimet kanë qenë të mëdha dhe kanë vendosur një standard i cili nuk mund të kthehet më mbrapsht në Njësinë 8.

Ne kemi parë që Pazari i Ri nuk është më vetëm një ndryshim i mbarë për Tiranën, por është një standard mbi të cilin nuk mund të kthehemi mbrapsht. Bulevardi i Ri nuk është vetëm një zhvillim i ri ekonomik e social, por është një standard që nuk mund të kthehet mbrapsht. Lagja e re “5 Maji” ka për të qenë një nga zonat më të lakmuara, më të zhvilluara dhe më të mira me shërbime publike të Tiranës dhe të Shqipërisë. Vendoset një standard kudo ku kemi punuar dhe ku Bashkia e Tiranës ka vënë dorë. Në datë 25 prill duhet t’ju tregojmë qytetarëve që nuk ka më kthim mbrapa, për gjithçka që kemi bërë,” u shpreh Bushati.

Deputeti socialist e vuri theksin te procesi i rindërtimit për të cilin tha se është unik pasi zgjidh problemin e shtëpisë për 500 mijë qytetarë. “Nga ky tërmet do të ndikohen 500 mijë shqiptarë, pra 1/6-ta e popullatës. Nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë e Shqipërisë. Unë nuk di ndonjë vend tjetër ku 1/6 e popullatës të zhvendoset dhe të ketë shtëpi të reja, shkolla të reja, 160 shkolla të reja, rrugë të reja, pra ky është projekti më i madh i ndërtimit dhe infrastrukturës në historinë e Shqipërisë,” tha Bushati, duke shtuar se, në kohë të tilla tërmeti e pandemie ndjenja solidare e përkrahjes dhe e të qenit pranë qytetarëve e bën Partinë Socialiste ndryshe nga të tjerat.

Ndërsa kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, duke iu përgjigjur edhe pyetjeve në rrjetet sociale mbi ndërtimet në Tiranë, tha se ato asnjëherë nuk kanë prekur objektet monument kulture. “Ndërtimi është i lejueshëm aty ku nuk ka monument kulture dhe shumë prej këtyre debateve ndodhin për ndërtesa që nuk kanë status monument kulture. Rasti i debatit të teatrit, ishte qeveria “Berisha” që disa herë e tentoi ta kalonte testin për monument kulture dhe ekspertët e vet thanë nuk e kalon provën se nuk u mbarua kurrë ndërtesa origjinale dhe u kthye në një gjysmagjel, që në hipotekë ishte vetëm gjysma e sipërfaqes reale, sepse sipërfaqja reale ishte bërë kryesisht si ndërtim pa leje,” shpjegoi kryebashkiaku Veliaj.