Një mjet lundrues Jet Ski është bllokuar nga Policia Kufitare në Ksamil, pasi kishte shkelur perimetrin e sigurisë dhe ishte futur në zonën ku pushuesit po laheshin. Pronari i mjetit është ndëshkuar me 500 mijë lekë të rinj gjobë.
Ngjarja është konstatuar gjatë kontrolleve dhe patrullimeve të kryera nga Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare, të cilat kanë intensifikuar monitorimin përgjatë vijës bregdetare me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve.
Gjatë patrullimit në sektorin detar të Ksamilit, në zonën e njohur si “Tre Ishujt”, shërbimet policore kanë konstatuar një Jet Ski që kishte hyrë brenda perimetrit të përcaktuar të sigurisë.
Mjeti ndodhej në zonën ku pushuesit po laheshin, duke krijuar rrezik për jetën dhe sigurinë e tyre.
Pas përfundimit të procedurave administrative, Jet Ski u bllokua, ndërsa pronari i tij, shtetasi A. P., u ndëshkua me një gjobë prej 500 000 lekësh të rinj.
Policia e Shtetit u ka bërë thirrje përdoruesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që ofrojnë shërbime me to që të respektojnë rregullat e lundrimit dhe perimetrat e sigurisë.
Autoritetet theksojnë se hyrja e mjeteve lundruese në zonat e përcaktuara për pushuesit mund të rrezikojë drejtpërdrejt jetën e personave që ndodhen në det.










