Ish deputetja socialiste Valentina Leskaj ka bërë një mesazh falenderues për të gjithë personat që e mbështetën dhe i shprehën ngushëllimet për ndarjen nga jeta të bashkëshortit të saj nga COVID. Leskaj shkruan se kaloi edhe vetë një gjendje të vështirë shëndetësore duke mos e lejuar që t’u përgjigjej të gjitha mesazheve, por që përmes këtij postimi i shpreh falenderimet për këdo që i qëndroi pranë në këto ditë të vështira.

“Të dashur miq, kolegë e dashamirës! Në këto ditë të vështira të humbjes së bashkëshortit tim të dashur, babait e gjyshit të shtrenjtë të fëmijëve të mi, njeriut që na bën krenar për vlerat njerëzore dhe emrin që la, Astritit, dua të shpreh një falenderim zemre dhe mirënjohje të thellë për të gjithë ju, që me telefonatat e mesazhet e ngushëllimit, të ardhura nga çdo cep i Shqipërisë e përtej kufijve të saj, na dhatë mbështetje të madhe.

Situata e vështirë shëndetësore që kalova, më pengoi t’u përgjigjesha menjëherë mesazheve tuaja, po unë besoj se falenderimi dhe mirënjohja nuk kanë të bëjnë me kohën, ato janë aty, brenda zemrave tona pavarësisht nga rrethanat e vështirësitë fizike.

Mbështetja juaj më ka dhënë mua dhe gjithë familjes, forcë dhe kurajo për të përballuar humbjen, të cilën do ta kishim më të vështirë pa mbështetjen tuaj të jashtëzakonshme.

Lus me zemër të keni vetëm gëzime e mirësi në familjet tuaja, sikurse uroj më të mirën për çdo familje shqiptare në këto ditë të vështira të pandemisë. Faleminderit nga zemra”, shkruan Leskaj.

Dy javë më parë u nda nga jeta bashkëshorti i ish-deputetes së Partisë Socialiste Valentina Leskaj, për shkak të COVID.