Sulmuesi francez ishte një nga objektivat e verës së kaluar në merkaton e Juventusit. Në fund, Pirlo zgjodhi Alvaro Morata, i cili po e paguan për besimin e tij me golat në Champions. Midis emrave të lidhur me ekipin bardhezi, kampion i Italisë, ishte edhe ai i Olivier Giroud. Sulmuesi francez i Chelsea dukej se do të largohej nga Londra verën e kaluar dhe për disa orë ishte një hap larg Juventusit.
Kjo u zbulua nga Vincenzo Morabito, një agjent i FIFA-s, që punon si ndërmjetës dhe përfaqëson interesat e sulmuesit të datëlindjes 1986 për Italinë: “Unë përfaqësoj agjentin e tij, Manuello, për Italinë. Në momentin kur Suarez, Dzeko dhe Morata ishin zhdukur si mundësi, ai ishte praktikisht te Juventusi për një pasdite. Ideja ishte krejt e mundur, në formë huazimi fillimisht”.
Kartat në tavolinë përfundimisht ndryshuan, sepse Pirlo preferoi spanjollin, por kjo nuk ishte hera e vetme, që ish-lojtari i Montpellier dhe Arsenal qe afër kampionatit italian: “Një vit më parë, ai ishte një hap larg nga Lazio. Nëse Napoli do ta shiste Mertens te Chelsea, francezi do të kishte shkuar në Romë, te bardhekaltrit”.