Gjermania po përballet me një situatë të përkeqësuar COVID-19, ndërsa vendi është goditur rëndë nga vala e tretë e pandemisë, tha kreu i Institutit për Sëmundjet Infektive “Robert Koch” (RKI), Lothar Wieler, duke paralajmëruar se më e keqja pritet ende të vijë.
“Ka sinjale shumë të qarta se kjo valë e tretë do të jetë shumë më e vështirë”, tha Wieler, në një konferencë shtypi në Berlin.
“Gjithçka tregon faktin se situata do të përkeqësohet në javët e ardhshme”, shtoi ai.
Gjermania po lufton me valën e tretë të COVID-19, e nxitur nga një lehtësim i kufizimeve në javët e fundit.
“Numri i pacientëve në njësitë e kujdesit intensiv është rritur ndjeshëm. Ne nuk mund ta parandalojmë më këtë valë, por duhet të përpiqemi ta rrafshojmë atë”, theksoi Weler.
Zyrtari gjerman i shëndetësisë paralajmëroi se, nëse nuk ndërmerren menjëherë kundërmasa masive, pasojat do të ishin të rënda.