Kandidatja për deputete e Partisë Socialiste në Vlorë, Laura Ferhati tha se për të përmirësuar ndotjen mjedisore përveç politikave është shumë e rëndësishme dhe çështja e sensibilizimit.
Në një intervistë për Euronews Albania, Ferhati theksoi se gjobat nuk funksionojnë dhe nuk do të ndihmonin në përmirësimin e situatës duke qenë se jo çdo qytetar do të merrte gjobë e rrjedhimisht jo të gjithë do të sensibilizoheshin.
Sipas saj bashkitë kanë kapacitete për t’i menaxhuar mbetjet duke qenë se i çojnë në landfille. “Kemi gati 80% të mbetjeve të menaxhuara. Nëse flasim për pjesën e riciklimit është çështje tjetër por pjesa e menaxhimit të mbetjeve, unë mund ta them me bindje për pjesën e qarkut Vlorë. Të gjithë e mbajnë mend kur kalonin që iknin për Dhërmi, atë hotspotin që ka qenë te qafa e Vishës dhe ishte një tmerr. Ajo tani është një zonë komplet e pastruar,” – u shpreh Ferhati.
Pjesa e trajtimit të mbetjeve kryesisht në zonat turistike çalon deri diku në pjesën e Gushtit, siç pohoi dhe kandidatja për deputete e Partisë Socialiste por sidoqoftë në sajë të kapaciteteve edhe këto probleme janë zgjidhur duke bërë pastrime të njëpasnjëshme.