Nga Ylli Pata
Pas 8 vjet opozite pa një arritje reale politike, Lulzim Basha pritej që në këto zgjedhje do të vinte me një fytyrë ndryshe, ekip ndryshe dhe natyrisht, një program ndryshe. Që të jetë alternativë e mazhorancës dhe personalitetit të Edi Ramës-kryeministër dhe jo thjesht kundërshtari i tij politik. Por në fakt, ja ku jemi sot, Lulzim Basha ka sjellë përpara njerëzve një fytyrë jo ndryshe të partisë që drejton, pasi PD-ja e tij që konkurron në zgjedhjet e 25 prillit është thuajse PD-ja që ai ka marrë në verën e vitit 2013. Madje në disa aspekte më e rrudhur, ngaqë ka larguar një grup udhëheqës që nuk ka pasur fuqi ekzekutive në qeverisjen e PD-së. Në vitin 2017, Lulzim Basha largoi Astrit Patozin e Jozefina Topallin, por nuk largoi Sali Berishën. Largoi Arben Imamin, por nuk largoi Flamur Nokën, nuk kandidoi disa kryebashkiakë të njohur të PD-së në vite, por kandidoi Xhelal Mziun.
E mbani mend vitin 2017, kur Basha edhe pse humbi zgjedhjet, arriti të fitojë Bashkinë e Kavajës, pas humbjes që PD-së ju shkaktua në atë qytet që nga viti 2011? Ishte një fitore shumë e rëndësishme politike e opozitës, me simbolikë dhe rëndësi territoriale e elektorale. Ku është sot Isa Sakja, kryebashkiaku i Kavajës që e qeverisi vetëm për dy vjet? Askund! As në një listë të PD-së. Ekipi përfaqësues i PD-së; Basha premtoi një risi në përzgjedhje, që realisht hapi një shpresë që do të sillte realisht një klasë të re politike në vend, ndoshta jo gjithkund, por në një pjesë, pikërisht nga forma e përzgjedhjes. Nga baza si propozim apo edhe si përzgjedhje e Komisionit Ruli-Nishani-Mustafaj.
E gjitha kjo skemë u rrëzua, kandidatët kanë ardhur si gjithmonë, nga dëshira, vullneti apo llogaritjet e lidershipit.
Procesi vd iq, risi spati, e në fund, sidomos në listën e Tiranës, Lulzim Basha ka propozuar ‘Filarmoninë e Vjetër’ frymore të podiumit të PD-së që nga viti 2001. Të vijmë tek programi, por që është i lidhur natyrisht me skuadrën. Basha sot nuk ka një program të kushtuar pandemisë dhe rindërtimit, përveç një pjese të thjeshtëzuar: alokim fondesh në shëndetësi, që i heq nga disa PPP dhe në rindërtim thotë që do t’u japë cash në dorë çdokujt që ka humbur shtëpinë. Po buxhetin? Përgjigjen e ka gati, do i heqë andej e do i fusë këndej, por nuk ka bërë asnjë llogaritje numerike që njerëzit ta kenë të qartë. Ndërkaq, njerëzit që i kanë hartuar edhe këtë pjesë të platformës si Teliti apo stafi i ardhur nga mjekësia, si dy prioritetet kyçe të vendit, nuk përfaqësohen në asnjë vend në listën elektorale. E tani të vijmë te modeli. Lulzim Basha ka qenë tre herë ministër, madje është bërë ministër sa ka vënë këmbën në politikë. Sa hyri u bë ministër i Transporteve, më pas ministër i Jashtëm dhe ministër i Brendshëm. Në të tre këto poste ka më shumë hije se dritë, e natyrisht skandale të rrënqethëse.
Ministër i Transporteve ka problemin e keqmenaxhimit të kontratës së “Rrugës së Kombit”, e cila shkoi në Prokurori, ku ishte i dyti ministër i qeverisë “Berisha” nën hetim zyrtar. Në Ministrinë e Jashtme firmosi “Marrëveshjen e Detit” me Greqinë, çka është një gur aq i rëndë sa nuk mund të zbutet me asnjë daltë të propogandës apo PR-it. Në Ministrinë e Brendshme, përveç të tjerave është njeriu që ka drejtuar dikasterin që administron forcat e rendit, pikërisht kur këto të fundit vranë 4 qytetarë në tubimin e opozitës.
Le të vijmë tek Bashkia e Tiranës. Debate mund të bëhen shumë, se e nisi me zhbërje, siç ishte projekti i sheshit “Skënderbej”, e mund të vijohet në shumë gjëra të tjera që nuk i bëri apo i zhbëri. Por fakt është se Lulzim Basha nuk krijoi një model të Tiranës së tij, siç e bëri Edi Rama përpara dhe Erion Veliaj më pas. Ka dy modele, ku referenca nuk të lë të gabosh, pavarësisht që ka tifozë që natyrisht shumica për interes bëjnë korin e “Curva Sud”.
Modeli është konkret dhe këtë Basha nuk e krijoi kurrë, edhe pse është në post titullari që në vitin 2005. Të vijmë tek opozita e tij. Përveç betejës për ligjin e dekriminalizimit, që e fitoi, duhet thënë me një mbështetje mjaft bujare të SHBA-së dhe BE, që e shtynë projektin e tij për t’i dhënë kurajo si lider.
Por që u rrëzua në të gjitha provimet e radhës: reforma në drejtësi, reforma administrative, zgjedhjet e 2015, kur nuk arriti të merrte një bashki në vend e ta krijonte si model. Pastaj vijmë tek çadra e 2017-s, te djegia e mandateve e bojkotimi i zgjedhjeve locale, ç’ka e largoi PD-në nga çdo institucion ku politika mundëson përfaqësimin. Një kandidat për kryeministër-krijon një model të tij që e transplanton për të thënë se kush është ai. Zoran Zaevi në Maqedoninë e Veriut, përpara se të bëhej lider i opozitës, ashtu si Edi Rama, krijoi një model si kryebashkiak i një qyteti modest si Strumica, ku la shenjën e vet.
E më pas si lider i opozitës, udhëhoqi një betejë kundër të korruptuarve, duke bashkëpunuar me Perëndimin qartazi dhe duke hapur një dialog me shqiptarët. E në fund njerëzit i dhanë fuqinë e votës. Ka shembuj sa të duash; ja të marrim Albin Kurtin që ka qenë një model opozitari reaktiv prej 20 vjetësh në Kosovë e sot triumfoi me 50% të votes, duke çuar në pension klasën e vjetër politike. Përpara se të merrte qeverinë, fitoi Prishtinën në 2 mandate, Prizrenin, Mitrovicën në zgjedhje lokale. Përpara 14 shkurtit fitoi zgjedhjet e 2019-s, u largua dhe u rikthye. Por nuk ka djegur asnjëherë mandatet apo bojkotuar Parlamentin, ku ka qëndruar fort, madje edhe me molotov.
Po kush është modeli i Lulit?!