Nga Skënder Minxhozi/

“Kutitë janë të mbyllura, nuk mund të manipulohen, provoje a e fut dot dorën brenda?!” E kush nuk e kujton këtë pjesë dialogu mes ish-kryetarit të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve Arben Ristani dhe komisionerëve socialistë, teksa hapeshin kutitë e bashkisë Tiranë, në kërkim të votave që i mungonin Lulzim Bashës për të përmbysur në tavolinë fitoren e Edi Ramës në votimet lokale të vitit 2011?! Pas asaj fraze sfiduese të kreut të KQZ, njëri ndër komisionerët merr një kuti dhe fut brenda gjithë krahun! Në atë moment u bë publike dhe e gjithëditur, ajo që të gjithë e kishin kuptuar: mandati i kryeqytetit po vidhej në tavolinën ku duhej të numëroheshin drejtë dhe pa hile votat e shqiptarëve!

Tetë vjet më vonë, në shkurt 2019, opozita vendosi të tërheqë njohjen e zgjedhjeve të vitit 2017, ku kishte marrë pjesë si e barabartë në qeverinë Rama, me ministra e drejtorë që ruanin ndershmërinë e votës. Lulzim Basha e Monika Kryemadhi vendosën të djegin mandatet, në vijim të disa përgjimeve të publikuara, në të cilat akuzoheshin zyrtarë të lartë socialistë, për biseda me komisionerë e persona anonimë, me qëllimin, sipas opozitës, vjedhjen e votave në Dibër e Durrës.

Dosjet 339 dhe 184, u bënë simboli i luftës për pastërtinë e votës. Dhe këtë e bënë dy parti, PD e LSI, që pasi kanë marrë pjesë me dyzina herë në zgjedhje të përgjithshme apo lokale, kanë lënë pas gjurmët e gishtërinjve në shumë incidente zgjedhore, ku janë blerë, devijuar e trafikuar mijëra vota në të gjithë vendin. Hidhte mandatet parlamentare në Lanë një parti si PD, e cila ka në memorien e saj politike një histori dhune mbi zgjedhjet, si asnjë forcë tjetër politike pas vitit 1992. Protestonte për Durrësin e Dibrën një parti si LSI, që është e njohur në të gjithë vendin për mënyrën prej kontrabandisti, me të cilën i konsideron dhe i trajton fushatat elektorale.

Por mbi të gjitha, protestave të dhunshme që pasuan braktisjen e Parlamentit në emër të dosjeve 339 e 184, ju printe Lulzim Basha, simboli i një vjedhjeje në tavolinë të mandatit më të lartë të një procesi elektoral administrativ. Njeriu që humbi përmes numërimit të votave, dhe që fitoi në tavolinë, përmes manipulimit të tyre nën dritën e projektorëve të dhjetra kamerave që asistonin në një vjedhje të hapur e ditën për diell.

Mejhanet e Shijakut dhe telefonat e Dibrës krijuan një fabul akuzatore që i vuri zjarrin qendrës së Tiranës për muaj më rradhë në pranverën e vitit 2019. Tetë protesta kombëtare, të gjitha të dhunshme, të thirrura me lista militantësh e autobusa nga rrethet, me njerëz që mbushnin xhepat me shishe benzine e që shkulnin pllakat e bulevardit, krijuan një situatë surreale në një qytet që kishte parë e dëgjuar shumë për manipulimin e zgjedhjeve në tre dekadat e fundit.

Sot, dy vite pas asaj dhune në emër të zgjedhjeve, opozita dhe kreu i saj, kandidati i nesërm për kryeministër Lulzim Basha, po e përdorin sërish fabulen e dy dosjeve të mësipërme, për të provuar teorinë e tyre se Edi Rama vjedh zgjedhjet. A ka ironi më të madhe sesa ta dëgjosh këtë qurravitje hipokrite nga një njeri e një panel opozitar që dje, kur kutitë vidheshin mbi tryezën e punës së Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, e konsideronin grabitjen elektorale si një gabim teknik që po çonte në vend “votat e gabuara” të popullit demokrat që s’kishte ditur në cilën kuti ta hidhte votën?!

A mund të besohet se muhabetet e mejhaneve të Dibrës e Durrësit vlejnë më shumë se një vjedhje e çertifikuar si e tillë nga qindra mijë dëshmitarë, që panë në televizion sesi një ministër i brendshëm që donte të bëhej me çdo kusht kryetar bashkie i Tiranës, vidhte vota me dorën e atij që më pas do ta gradonte funksionar të lartë të partisë që drejtonte?! Si mund të ketë gojë Lulzim Basha, që ta numërojë edhe sot si sukses mbi Edi Ramën, fitoren me vota të vjedhura për bashkinë e Tiranës?

Që nga Ilir Meta e deri tek zyrtari më i humbur i opozitës, që të gjithë vijojnë të përtypin elegjinë e konsumuar të dosjeve 339 dhe 184. Të gjithë bëjnë sikur nuk kujtojnë, sikur nuk kanë qenë aty, sikur nuk dinë. Kurse kreu i karvanit vazhdon të përkëdhelë sedrën me një fitore të dikurshme që normalisht duhet të kishte turp edhe ta sillte nëpër mend. Ky është paradoksi mes mejhaneve të Shijakut dhe tavolinës së Arben Ristanit. Një paradoks që është i gdhendur në CV-në e Lulzim Bashës e që s’ka dorëzim mandati që e pastron.