Ashtu siç është njoftuar më parë nesër nis në vendin tonë vaksinimi masiv. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu nga sheshi “Skënderbej” ku po ngrihen çadrat për vaksinimin, tha se ambicia është për të vaksinuar mbi 10 mijë qytetarë në ditë.
“Jemi duke vijuar punën për të ngritur qendrën e vaksinimit masiv në Tiranë. Pas Arënës Kombëtare ku vijon vaksinimi do të ngremë dhe këtë qendër vaksnimi. Një qendër e cila do të mundësoje kryerjen e një numri të madh të vaksnimeve ditore pikërisht në këto ambiente që po ndërtohen në Sheshin “Skënderbej”. Kemi ambicien për të kryer në të gjithë Shqipërinë mbi 10 mijë vaksinime në ditë. Pra duam që të arrijmë një objektiv 10 mijë, 12 mijë, 15 mijë vaksinime në ditë për të mundësuar një proces me ritme të shpejta të vaksinimit”, tha Manastirliu.
Duke bërë me dije se janë shpërndarë të gjitha dozat e nevojshme të vaksinave në Shqipëri, Manastiliu tha se qytetarët duhet të kontaktojnë me mjekun e familjes për të bërë planifikimin e vaksinimit.
“Mjeku i familjes do të jetë lajmësi për vendin, datën dhe orën e kryerjes së vaksinës. Mjeku i familjes në bazë të një udhëzimi të përcaktuara nga strukturat e Operatorit të Kujdesit Shëndetësor do të mundësojë thirrjen e kategorive sipas grupmoshave që kemi vendosur në planin kombëtar të vaksinimit, duke filluar me grupmoshën +85 vjeç dhe +80 vjeç të cilët kemi vendosur t’i kryemë në qendrat e tyre shëndetësore por duke vijuar me grupmoshën +75 vjeç por duke zbritur tek ajo +70 vjeç të cilat do të kryhen në qendrat e vaksinimit të përqendruar”, tha Manastirliu.
Gjithashtu Manastirliu dha detaje se si do të jenë të organizuara çadrat e ngritura në sheshin “Skënderbej” duke thënë: “Kjo qendër që është duke u punuar dhe do të hapet nesër do të mundësojë kryerjen nga 800 deri në 1000 vaksinime në ditë. Planifikohet të kemi 10 poste të vaksinimit, 10 pika të rregjistrimit duke mundësuar kështu një rregjistrim të shpejtë të qytetarëve, një kryerje të shpejtë të anamnezës, më pas vaksinimin dhe më pas vendosjen e posteve të postvaksinimit. Këto çadra do të kenë dhe ambiente ruajtje frigoriferike për vaksinat”.