Ministria e Brendshme ka publikuar listën përfundimtare të zgjedhësve për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
Nga të dhënat e gjeneruara përfundimisht nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile të drejtën e votës e kanë 3,588,869 shtetas shqiptarë, nga të cilët: 50.5 % e tyre janë votues meshkuj dhe 49.5 % e tyre janë votues femra; 107,024 zgjedhës votojnë për herë të parë dhe 1,098 shtetas janë të bllokuar si shkak, apo si rrjedhojë e ligjit të dekriminalizimit. Numri total i qendrave të votimit është 5199 në rang vendi.
“Çdo qytetar është i lutur të verifikojë emrin e tij në listën e zgjedhësve nëpërmjet shërbimit online në portalin “e-albania” si dhe për çdo pretendim mund t’u drejtohet zyrave të Gjendjes Civile në bashki dhe njësi administrative, të cilat do të vijojnë të qëndrojnë të hapura nga dita e hënë, deri në ditën e shtunë. Lista përfundimtare e zgjedhësve përmbyll kështu procesin e hartimit dhe shpalljes së Listës së Zgjedhësve. DPGJC në çdo bashki, ashtu sikurse deri më tani, do të përmbushë në vijim çdo detyrim ligjor, që rrjedh nga Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore. Edhe njëherë përfitoj nga rasti, të ftoj çdo qytetar që posedon një dokument biometrik, letërnjoftim apo pasaportë, të cilës i ka skaduar afati i vlefshmërisë, t’u drejtohet zyrave të aplikimit, për t’u pajisur me këto dokumente me qëllim që në datën 25 prill, të kenë mundësi të shprehin vullnetin e tyre”, ka thënë në deklaratën për mediat, drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj.
Shifrat më të rëndësishme të listës së zgjedhësve: 3,588,869 shtetas shqiptarë kanë të drejtën e votës; 50.5 % e tyre janë votues meshkuj dhe 49.5 % e tyre janë votues femra; 107,024 zgjedhës votojnë për herë të parë dhe 1,098 shtetas janë të bllokuar si shkak, apo si rrjedhojë e ligjit të dekriminalizimit.