Kryeministri Edi Rama ka parë nga afër rindërtimin e të gjitha banesave individuale të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

Plot 567 familje janë rikthyer në shtëpinë e re, ndërtuar nga shteti dhe 252 të tjera kanë marrë fondin në dorë, me kërkesë të tyre, për ta kryer vetë ndërtimin. Në takimet me banorët, Rama i ka përshëndetur të gjithë me grusht duke respektuar masat e pandemisë, ndërsa nuk kanë munguar urimet e tipit “t’u bëftë dita një mijë”. Ndërsa në bisedë me një banore, Rama u shpreh: “E di pse më kuptojnë më mirë gratë mua, se kanë më shumë punë e më pak llafe kurse burrat kanë më shumë llafe e më pak punë.”
Bashkëbisedimet e Ramës me banorët/Banori: Të na rroni sa malet.

Rama: Sa malet jo, se edhe kaq sa jemi mezi po rrimë në këmbë.

Banorja: Zoti ta bëftë ditën një mijë themi ne. Ose dy mijë! Rrofsh e qofsh o Zot gjithë jetën, për veten edhe për popullin tonë!

Rama: Shumë mirë ka dalë ë! (shtëpia)

Banori: Po bereqaves, shumë mirë!

Vizita në një tjetër banesë/ Banori: Të lumshin këmbët! Faleminderit shumë!
Rama: Gëzuar me shëndet, bëhu i fortë edhe me jetë të gjatë. Edhe ti kesh me jetë këta se do bëhesh stërgjysh shpejt me sa kuptoj unë.

Banori: Falënderoj shokët e bashkisë, shokët e komunës, e të gjithë hesapi që mua për vete si invalid mu ka gjend pranë gjithmonë.

Rama: Kanë bërë detyrën, mos u lodh me falënderime. Të jesh mirë!

Banori: Të rujt Zoti, faqebardhë me partinë.