Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se ka kaluar mbi 15 mijë numri i fermerëve që u janë aprovuar kërkesat për naftën pa taksë. Në lidhje me interesin e një qytetari për aplikimin për naftë falas, Rama tha nga Lezha se janë hequr burokracitë për aplikimin e marrjes së naftës pa taksë nga fermerët.

“Janë bërë edhe disa ndërhyrje të tjera nga ana jonë për të lehtësuar maksimalisht marrjen e naftës pa taksa, duke reduktuar maksimalisht procedurat burokratike dhe letrat”, tha Rama.

Për shkak të kërkesave të shumta, aplikimi për skemën e naftës falas në bujqësi për fermerët është shtyrë deri me 30 Mars 2021.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën të ditur se që nga nisja e këtij procesi, janë 16 700 aplikime nga fermerët në e-Albania.

Zgjatja e afatit të aplikimit të fermerëve për naftë falas iu jep mundësi aplikimi fermerëve që po nxitojnë të pajisen me NIPT, që është kusht për të përfituar nga kjo masë.

Naftë falas pa akcizë, pa taksë qarkullimi dhe karbon, e përfitojnë të gjithë fermerët që punojnë tokën edhe kur e kanë tokën me qira. 100% të sasisë së naftës, me çmim 80.4 lekë më pak për litër, e përfitojnë individët e shoqatat e bashkëpunimit bujqësor, që kryejnë aktivitet bujqësor dhe kanë në pronësi ose përdorim, tokë bujqësore mbi 0.4 hektarë dhe parcelë më të madhe se 0.1 hektarë.

Për vitin e parë, ky program do t’i kushtojë buxhetit të shtetit 10 milionë dollarë për mbi 80 mijë fermerë përfitues.