Deputeti socialist Fatmir Xhafaj ka folur në Kuvend lidhur me ndryshimet që pritet të votohen seancën e sotme plenare sa i përket reformës në drejtësi.
Nga foltorja e Kuvendit, ligjvënësi tha se reforma në drejtësi tashmë është një realitet i prekshëm dhe se nuk ka ligj perfekt që të parashikojë apo parandalojë çdo detaj të mendjeve të cilësuara prej tij si të papërgjegjshme dhe djallëzore.
Duke i bërë thirrje kolegëve për të qenë rojtarë të çdo procesi, ish kreu i Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi ndër të tjera u shpreh se:
“Siç e dimë, ne që e duam por edhe më skeptikët, reforma në drejtësi tashmë është një realitet i prekshëm. Pa asnjë diskutim, përtej çdo marrëzie që mund të thuhet lart e poshtë, reforma tashmë është në udhën e duhur të suksesit dhe ne duhet të jemi rojtarët e parë të saj nga ata që kanë qenë gati të shpallin me bujë dështimin e saj.
Natyrisht një reformë kaq komplekse ka dhe do të ketë përherë problemet e veta në zbatim. Është naivitet të mendosh ndryshe pasi ka probleme që rrjedhin kryesisht nga kompleksiteti i vet reformës dhe institucioneve të saj, nga ecja me shpejtësi të ndryshme brenda saj për shkak edhe të vonesave të krijuara nga kundërshtarët e saj e kryesisht nga PD, nga pengesat ligjore e institucionale të krijuara artificialisht në hallka të ndryshme të zbatimit të procesit, etj. Nuk ka ligj perfekt dhe për më tepër ligj që të parashikoj e parandaloj çdo detaj të mendjeve të papërgjegjshme dhe djallëzore”, theksoi Xhafaj duke shtuar se:
“Ndryshimet e sjella nga grupi i ekspertëve të Ministrisë së Drejtësisë dhe Institucioneve të vet sistemit me asistencën aktive të partnerëve ndërkombëtar janë brenda shtratit të ndryshimeve kushtetuese dhe parimeve të reformës. Kjo është shumë e rëndësishme. Çdo përpjekje për të devijuar nga kjo frymë do të ishte një goditje e rëndë për reformën”, tha Xhafaj.
Deputeti nënvizoi se kjo paketë do të sjellë në mënyrë të dukshme rritjen e efiçensës në sistemin e drejtësisë ku do të impaktojë drejtpërdrejtë qytetarët sa i përket rritjes së shpejtësisë së zhvillimit të proceseve gjyqësore, shkurtimit të afateve jo vetëm në gjykatat e apelit por edhe në Gjykatën e Lartë.
Përmes kësaj pakete sipas tij hidhet një hap tjetër që synon mbështetjen maksimale buxhetore dhe strukturore ndaj tyre.
“Kjo mbështetje nuk duhet të shihet nga institucionet e drejtësisë si çështje benefitesh për ta, as si qoka që ne ju bëjmë atyre, por si mbështetje për ta bërë detyrën siç duhet me përgjegjshmëri dhe profesionalizëm. Këto janë paratë e taksapaguesve shqiptarë, janë lekë që dalin nga xhepat e qytetarëve shqiptarë ndaj dhe ata, qytetarët kanë të drejtë të kenë pritshmëri të larta nga sistemi i ri i drejtësisë.
Ndaj ka ardhur momenti që institucionet e reja të drejtësisë të dëshmojnë përgjegjshmërinë e tyre, fuqinë e tyre dhe qëllimin për të cilën janë krijuar.
Ne kemi luftuar dhe kemi marrë një kosto jo pak të vogël, qytetarët dhe partnerët kanë investuar fort te ky projekt prandaj e vetmja përgjigje që pranohet nga radhët e gjyqtarëve, prokurorëve dhe anëtarëve të institucioneve të reja është: Rezultate!”, tha Xhafaj ku shton se:
“Lufta ndaj krimit të organizuar dhe pandëshkueshmërisë në luftën ndaj korrupsionit nuk është dhe nuk duhet të jetë më thjesht një çështje bilanci shifrash. Ajo është një sfidë, është çështje besimi, rikthimit të besueshmërisë së qytetarëve tek organet e reja të drejtësisë. Të gjithë bashkërisht kemi përgjegjësinë të distancohemi prerë dhe të dëshmojmë fort se vullneti i shprehur në ideimin dhe miratimin e kësaj reforme qëndron i palëkundur. Kjo kërkon jo thjesht e vetëm të mbështesim kërkesat realiste për zbatimin e reformës dhe koordinimin sa më mirë të këtij procesi, por edhe distancimin e qartë dhe publik ndaj çdo tentative sado e vogël qoftë ajo ndaj përpjekjeve për interferenca në vendimmarrjet e institucioneve të reja, në përzgjedhjen klienteliste të anëtarëve të tyre dhe kryesorja për ndikimin në to për kontroll e influencë nga çdo krah që ato të vijnë. Opinioni publik ka gjithë të drejtën të na shohë si ideator dhe realizues të kësaj reforme historike por aq edhe si garantë të paanshmërisë, objektiviteti dhe efiçensës së saj”, tha mes të tjerash Xhafaj.