Regjimi sportiv dhe rregullsia në stërvitje e ngënie; talenti, por mbi të gjitha, shumë disiplinë mendore. Ky është sekreti i jetëgjatësisë sportive të atyre që “bluajnë” suksese përtej limiteve njerëzore. Nga Zlatan Ibrahimovic te Tom Brady, duke kaluar përmes Cristiano Ronaldos, i cili ua mbylli gojën të gjithëve, porsa nisën të flisnin për krizën e tij, duke supozuar rënien e yllit portugez.
“Ronaldo ka talent të jashtëzakonshëm, por është gjithashtu profesionist i shkëlqyeshëm, shumë i përqendruar, i cili ndjek diktatet e shkencës së të ushqyerit, Dhe kështu, në moshën 36 vjeç, ai ende bën ndryshimin”, – tregon Dr. Daniele Casalini, mjek sportiv. Po cilët janë faktorët që sigurojnë jetëgjatësinë sportive të profesionistëve të nivelit të Ibrahimovic, Ronaldo apo Brady?
“Me siguri, sportistë si ata nuk kufizohen në kryerjen e trajnimeve sportive specifike për disiplinën e tyre, por përfshijnë të gjitha njohuritë e aktivitetit fizik dhe shkencën e të ushqyerit, duke kryer të gjitha ato aktivitete plotësuese, që më pas u lejojnë atyre të shkëlqejnë në disiplinën përkatëse. Ndonjëherë ata janë pothuajse të fiksuar me gjithçka që lidhet me ushqimin, performancën fizike, përgatitjen, – shton Dr. Daniele Casalini, i cili tregon sa e rëndësishme është vëmendja për gjumin dhe riaftësimin.
– Është një përbërës themelor. Por, edhe në këtë rast është diçka subjektive. Unë kam njohur lojtarë që kalonin natën para ndeshjes konkurruese me pagjumësi të plotë. Rasti më tipik është ai i Tardelli, një mesfushor i shkëlqyer i kombëtares italiane, që fitoi Kupën e Botës në Spanjë në 1982. Ai nuk bënte gjumë një natë para ndeshjes, sepse tashmë e kishte në qarkullim adrenalinën, të cilën më pas e shkarkonte në fushë ditën tjetër. Rastet si ajo e Ronaldos, përkundrazi, janë shumë të parregullta. Në një kohë kishte më shumë hapësirë për imagjinatë, talentet natyrore spikasnin, por më pas, si çështja “Maradona”, ata nuk arritën moshën 40 vjeç në fushën e lojës”.
Përtej stilit të jetës së kontrolluar dhe të rregullt, a ka diçka që bën vërtet ndryshimin? Për mjekun sportiv në fjalë, po: “Për të ndjekur një mënyrë jetese të tillë dhe për të arritur rezultate të ngjashme, disiplina e brendshme dhe mendore është thelbësore. Njerëz si Ibrahimovic, Ronaldo ose Brady kanë një disiplinë të brendshme shumë të fortë, ata e vendosin profesionalizmin e tyre, aktivitetin e tyre sportiv mbi çdo konsideratë tjetër. Vetëm në këtë mënyrë arrihet jetëgjatësia profesionale”.
Pra, më shumë sesa fiziku ose talenti, llogaritet disiplina: “Po, disiplina mendore është thelbësore, është diçka e lindur, nuk mund ta stërvitësh atë. Është gjithashtu shpesh një qëndrim pothuajse maniakal, i cili kërkon një ego jo indiferente. Talenti është i ndarë. Stili i jetës profesionale ndihmon jetëgjatësinë e karrierës, por nuk jep garancinë për të qenë kampion”.
Nëse është e mundur të jepet një numër, cili është kufiri i moshës, në të cilën edhe disiplina mendore nuk është më e mjaftueshme dhe një krizë momentale kthehet në rënie: “Mosha e sportistëve po zgjatet, falë edhe njohurive të reja në fushën e shkencës së të ushqyerit dhe mirëmbajtjes së gjendjes fizike. Pastaj varet nga lloji i sportit, por kufiri mesatar i moshës është rreth 35 vjeç. Nga mosha 35 vjeç e më tej, vetëm fenomenet e pajisura me dhurata të veçanta natyrore dhe disiplinë mendore janë në gjendje të vazhdojnë të bëjnë ndryshimin. Ka lojtarë që vazhdojnë të luajnë deri në moshën 40 vjeç, por zbresin si kategori. Këto tri raste janë përjashtime nga rregulli. Janë dhurata të mëdha natyrore, por mbi të gjitha forcë e madhe mendore”.