Rreziku i riinfektimit është shumë i vogël. Këtë konfirmoi në studion e Dita Jonë në A2 CNN mjeku Ilir Alimehmeti, bazuar në disa studime botërore. Duke iu referuar studimit më të fundit austriak, mjeku Alimehmeti theksoi se nga mbi 5400 persona që kishin kaluar Covid-19 në periudhën shkurt-prill 2020, u riinfektuan pas 7-8 muajsh vetëm 40 persona.
“Të dhënat e austrisë që e kanë kaluar në shkurt-prill të vitit të kaluar dhe janë testuar në mbi 5400 që e kishin kaluar atëherë vetëm 40 u riinfektuan. Ky risk është tejet i vogël. Risku i riinfektimit në periudhë 7-8 mujore është shumë i vogël, duke marrë parasysh studimin australian 0.27%, ose 3 raste për 1 mijë”. Sa i takon studimit italian që ata që e kanë kaluar Covid-19 mund të marrin vetëm një dozë të vaksinës, ai tha se kjo efidencë hyn për herë të parë në një protokoll vaksinimi.
“Studimet nga të gjitha anët e rruzullit na e tregonin që kush e ka kaluar është i mbrojtur ndaj riinfektimeve në nivel më të fortë se vaksinimet, por për herë të parë janë kthyer në protokoll të sugjeruar dhe pritet të kthehet në protokoll përdorimi në Itali dhe kjo efidencë hyn për herë të parë në një moment vaksinimi, por kjo ishte e qartë prej muajsh.
I pari që e nxori këtë studim ishte një ndjekje afatgjatë e nxori Katari me mbi 40 mijë njerëz nëse ishte infektuar kishe mbrojtje 93 %. Nju Jorku tha që bënin 10 fish antitrupa tek ata që e kishin kaluar, Austria që kalimi për herë të parë ka efektivitet 91%, sërish e krahasueshme me vaksinat”, tha ai. Duke folur për situatën e vaksinimit në vend ai tha se kjo është një garë kundër kohës, ndërkohë që problematika me këtë virus është vjeshtë-dimri:
“Deri ditën që ndjen injektimin te krahu jot nuk ka rëndësi ku janë shifrat. Kjo është pjesë e rëndësishme. Burimet zyrtare kanë thënë rreth 14 muaj, por ajo që është shqetësuese është pas dimrit që vjen dhe me këtë virus problematika është vjeshtë-dimri. Një përqindje e popullatës e ka kaluar në mënyrë natyrore se kjo ka të bëjë me politikat e Shëndetit Publik. Ka disa kandidatë vaksinash. Ne duhet të kapim kohë. Është një garë kundër kohës”.