Prej 5 ditësh Theofilus Solomon, ka fituar lirinë pas akuzës për dhunë në familje nga ish-e dashura e tij. Në një intervistë ekskluzive për Top Channel dhënë gazetarit Endi Tufa, ish-futbollisti i Partizanit tregon se çfarë ndodhi.
Theofilous Solomon / ish-futbollist i Partizanit: Çfarë mund të them, kjo është jeta, çdo gjë ndodh për një arsye. Jam ende i befasuar nga e gjitha ajo që ndodhi, ishte si një koincidencë, ndodhi gjithçka shumë shpejt, nuk di vërtetë se çfarë te them. Unë kam patur një histori me shkëputje me atë vajzë, një muaj i lidhur katër muaj të tjerë të ndarë. Por ajo që ndodhi ndoshta ishte diçka që lidhej me xhelozinë. Ajo e mësoi që unë do të ikja nga Shqipëria por jo se ku. I gjithë debati ndodhi në apartamentin tim. Dua të sqaroj që në fillim që unë jam një njeri që i dua dhe i respektoj shumë femrat, mamaja ime na ka rritur mjaft mirë dhe me këtë frymë. Unë dhe e gjithë familja jonë asnjëherë nuk ka goditur askënd .Kur unë pash raportin e policisë u shokova, shtanga dhe as mund të flisja më. Kisha edhe vëllain e vogël aty dhe pash që ai filloi të qante. Por çfarë të bëja, unë jam i huaj, unë nuk di shqip dhe në polici askush nuk fliste anglisht. Nuk dija çfarë të bëja thjesht qëndrova në heshtje. U mundova të telefonoja njerëz që njihja që mund të më ndihmonin por ishte mesnatë.
Kjo ishte hera e parë që shkoni në një komisariat policie?
Theofilous Solomon / ish-futbollist i Partizanit: Kjo ishte hera e parë në jetën time që isha në një komisariat policie jo më në në burg, që sigurisht ishte hera e parë. Ishte një ndjesi e tmerrshme, nëse do të qëndroja edhe ditë të tjera aty do të humbisja gjithçka. Mendimet që më kalonin në kokë ishin se kush do të kujdeset për vëllanë tim, sepse ne nuk kemi asnjeri, mendoja për karrierën time, unë nuk kam punë tjetër, nuk kam asgjë tjetër. Ishin 11 ditë që nuk komunikoja dot me askënd, po kaloja në depresion. Isha i trishtuar dhe ndonjëherë i nevrikosur. Nuk di mendova se ky ishte fundi im. I thoja vetes thjesht që ndoshta Zoti ka një plan më të mirë për mua. Për fat të mirë në ditën e 12-të vëllai im i vogël erdhi në komisariat të më takonte, më tha se kish ardhur çdo ditë por askush nuk e kishte lejuar të hynte.
A ju njihnin në Polici?
Solomon: Por kishte disa policëqë më njihnin dhe habiteshin se ç’a doja unë aty. Ndonjëri prej tyre më bënte edhe edhe biseda të ndryshme rreth futbollit dhe Partizanit për të shtyrë kohën, ishte njëri veçanërisht që quhej Albani, nuk do ta harroj kurrë, ishte një djalë shumë i mirë, më fliste edhe pse nuk s’dinte mirë anglisht por kuptoheshim. Ishte ai që më ndihmonte dhe më tregonte se çfarë ndodhte jashtë.
Si kaluan ato 11 ditë në burg?
Theofilous Solomon / ish-futbollist i Partizanit: I thashë vëllait që të mos i thoshte askujt në fillim, e mbante ai telefonin dhe kushdo që më kërkonte ai gjente një justifikim për mua. Unë nuk kam familje, të vetmit njerëz që kam janë gjyshja dhe njerka. Ne jemi të varfër, nuk jemi të pasur që të mendojmë ok nëse nuk luaj unë futboll, kemi para për të jetuar, por ata më kanë vetëm mua, për këtë më duhet të bëj çdo gjë që të mbaj familjen.
Po kur mësuat që do të dilnit?
Theofilous Solomon / ish-futbollist i Partizanit: Kur më thanë se mund të dilja nuk e imagjinoni dot çfarë kënaqësie përjetova, nxitova të vija me vrap në shtëpi dhe gjëja e parë që më erdhi të bëja ishte të bëja një dush të nxehtë dhe të ushqehesha e më pas bëra një shëtitje në këmbë të thithja ajrin e pastër. Menjëherë njoftova menaxherin tim dhe i thash fillojmë procedurat për vizën dua të iki menjëherë. Tani kam rifilluar stërvitjen për të rimarr pak formën fizike pasi ato ditë ishin si ferr për mua.
Keni ndonjë mesazh për vajzën që ju krijoi këto telashe?
Theofilous Solomon / ish-futbollist i Partizanit: Nuk kam asgjë për t’i thënë asaj vajze, unë nuk jam njeri i keq, nuk dua asgjë prej saj, i uroj që të jetë e lumtur dhe të jetë mirë dhe gjithë të mirat. Unë nuk jam i keq dua që ajo të jetë e lumtur, kështu jam unë. (Top Channel)