Drejtuese politike e PS për Qarkun Tiranë, Elisa Spiropali, së bashku me kryebashkiakun Rakip Suli, është pritur sot në ditën e verës, nga të rinjtë e këtij qyteti, me të cilët ka ndezur motorrët e fushatës me numrin 9.

Përballë të rinjve, teksa diskutuan mbi të ardhmen e tyre, transformimet në këtë bashki dhe alternativën më të mire për Kamzën, Spiropali u shpreh se për të është krenari të jetë deputete përfaqësuese e kësaj bashkie në Parlementin Shqiptar për katër vitet e ardhshme.

“Ndryshimet kanë nisur me shkollat dhe kopshtet e reja, në Valias, Paskuqan, Bathore, të cilat janë me një standard të pamenduar më parë. Sot është koha që ne të jemi të gjithë bashkë, përballë këtyre bindjeve të vjetra për ti dhënë mandatin e tretë Edi Ramës në mënyrë që të gjitha këto punë të mira të nisura të vazhdojnë.” – u shpreh ministrja Spiropali.

Ministrja Spiropali, shtoi se Kamza po ndahet me realitetin e të kaluarës, me shtetin që kurrë nuk e pati në krah, duke përmendur kundërshtarët dhe aleatë e PD-së ajo u shpreh se ata nuk e ndalin dot të ardhmen e Kamzës. “Shpura e Mulit, Rimit, Ilirit, Monës, Fatmirit, veglës së tyre Lulit, dreqit dhe të birit, nuk e ndal dot të ardhmen e Kamzës të vijë. Me Edi Ramën. Me njerëzit, për njerëzit.”

Në mbyllje të takimit në mënyrë simbolike, Spiropali shkelmoi një penallti duke shënuar gol. Kujtojmë se Zonja Spiropali mban numrin nëntë në listën e skuadrës së Edi Ramës për deputet në qarkun e Tiranës. Zakonisht në një skuadër futbolli, numri 9-të atashohet si numër i qendërsulmuesit apo sulmuesit kryesor të ekipit.