Zv.ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe njëkohësisht koordinator i PS për Kavajën dhe Rrogozhinën, Etjen Xhafaj, reagoi sot pas takimeve që kreu i PD, Lulzim Basha zhvilloi sot në Kavajë. Etjen Xhafaj, kandidat i PS, i renditur i 12-i në listë për qarkun e Tiranës, u shpreh sot se, “një grusht njerëzish e priti sot Lulzim Bashën në Kavajë, duke i treguar se përtej sloganeve nuk shkon dot”. “Ndërkohë po sot, një profesionist i nderuar humbi jetën në shërbim të qytetit”, tha Xhafaj. “Nuk dua të bëj lidhje politike mes të dyve, por minimalisht, kur “ëndërron” të qeverisësh një vend, kujdesi për shëndetin e atyre që të votojnë, sadopak të jenë, duhet të vijë i pari”, theksoi Xhafaj.

“Ngushëllime dhe një herë Kavajës për shërbyesin publik që humbi dhe lutem që të tregoni kujdes e mbroni veten, sepse asgjë nuk është më e rëndësishme se vetë jeta”, shtoi Xhafaj. Sot ndërroi jetë mjeku nga Kavaja, Mehmet Demrozi si pasojë e infektimit prej COVID-19. “Një plagë më shumë në trupin e shërbimit shëndetësor ikja tragjike e doktor Mehmet Demrozit. Një profesionist i pandalshëm në shërbim të qytetarëve të tij në Kavajë I paharrueshëm vepra e kujtimi dhe ngushëllime familjes, kolegëve dhe miqve. Është jashtëzakonisht me rëndësi të zbatojmë masat anti Covid. Të ruajmë distancën dhe secili të mbajë maskën për të mbrojtur veten dhe të tjerët”, u shpreh më herët Xhafaj, duke shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të mjekut kavajas.