Kryeministri Edi Rama u ndal sot edhe në Brindizi, të Italisë ndërsa ndodhet në vizitë zyrtare në përkujtimin e 30-vjetorit të zbarkimit të shqiptarëve në brigjet italiane.
“Aty ku më 7 mars 1991 zbarkuan 18 mijë shqiptarë dhe sot 30 vjet më pas, shqiptarët janë qytetarë të respektuar falë kurajos, vullnetit, punës së tyre heroike”, u shpreh Rama.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast nga bashkia e Brindizit, kryeministri Rama tha se “kjo ditë është e rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë e për Brindizin, por për historinë e njerëzimit në këtë pjesë të botës”.
“Ajo çka ndodhi atë ditë, është edhe reagim i komunitetit të Brindizit, është pra një shembull i njerëzimit për të gjithë por edhe një shembull që duhet t’iu tregohet të gjithëve që nuk është frika por dashuria drejt tjetrit që e mban të sigurt të ardhmen për fëmijët tanë”, theksoi kryeministri Rama.
“Ne duam që datën 7 mars ta kthejmë në një datë për një vizitë të detyrueshme të qeverisë shqiptare në Brindizi, për t’i shprehur mirënjohjen e përjetshme dhe për të mos lënë që kjo histori të harrohet”– u shpreh Rama.
Sepse, vijoi ai, është një histori shumë e rëndësishme për fëmijët tuaj dhe tanët që duhet të jetojnë në Europën e së nesërmes dhe nëse nuk do të mbajnë mend atë që etërit e tyre kanë bërë, do të rrezikojnë të bëjnë gabime.
“Dhe nga ana tjetër 7 marsi në Shqipëri është dita e mësuesve dhe besoj se Brindizi, në atë 7 mars, është bërë një ndër mësuesit e mëdhenj të njerëzimit dhe solidaritetit të vërtetë”– tha kryeministri.