Procesi i vaksinimit antikovid për mësuesit vijon me ritëm të lartë në Elbasan, në shkollën 9-vjeçare “Jorgji Dilo” ku deri të premten, iu nënshtruan këtij procesi më shumë se 210 mësues.

Agjencia Telegrafike Shqiptare ka vëzhguar nga afër procesin e vaksinimit të mësuesve, ndërsa ka marrë mendimet e tyre.

Në total në vendin tonë janë mbi 4 200 mësues të vaksinuar me vaksinën e prodhuar nga “Oxford”, “Astra Zeneca” dhe deri më tani, sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk ka patur asnjë problematikë serioze tek të vaksinuarit, por vetëm efekte anësore minimale si temperaturë e lehtë, ethe, dhimbje tek zona e injeksionit…etj.

Gjatë prononcimeve për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, mësuesit u shprehën të bindur se të gjithë duhet ta bëjnë këtë vaksinë.

“Unë jam mësuese tek shkolla shkolla “Europa” në Katundin e Ri. Së bashku me mësuesit e tjerë të shkollës erdhëm këtu sot dhe u vaksinuam. Unë e kam kaluar COVID-19 në tetor dhe nuk besoj se do jetë më e keqe nga ajo që kaluam prej COVID-it”, tha një prej mësuesve të vaksinuar të premten.

“Unë jam nga shkolla “Europa”, në Katundi të ri. Na lajmëroi drejtoresha për orën dhe vendin. U vaksinova pasi e vlerësoj një vaksinë si të tjerat. Nuk e mendova kompaninë, por doja të bëja një vaksinë pasi nuk e kam kaluar COVID dhe antitrupa nuk kisha dhe mendova për të gjithë familjen time”,- tha një mësuese tjetër.

“Ndjehem shummë mirë. I them të gjithëve ta bëjnë vaksinën. Është për të mirën tonë dhe familjes sonë. S’ka asnjë problemi lloji vaksinës. Ciladoqoftë ajo është për shëndetin e të gjithëve”,- tha për ATSH një mësues tjetër.

Drjetoresha e shkollës “Jorgji Dilo” tha se ëshë vaksinuar para dy ditësh dhe ka patur pak efekte anësore, por asgjë për t’u shqetësuar.

“Është normale, pata pak këputje, temperaturë, por asgjë për t’u shqetësuar. Sot jam në punë. Kam dëgjuar shumë fjalë, por çdo vaksinë ka patur efektet e veta dhe menduam se ishte normale zgjedhja e AstraZeneca. Duke parë situatën kaotike që jemi për shkak të virusit, vaksina është një zgjidhje dhe duhet bërë për të parandaluar përhapjen e këtij virusi, apo ta kalojmë sa më lehtë atë”,- tha ajo.

“Mirë shumë mirë. Shyqyr që erdhi vaksina. Unë e kam kaluar COVID, s’do doja ta kaloja më atë situatë. Kemi marrë shumë informacione për llojin e vaksinës. Kemi folur dhe me njerëz të fushës, duke marrë opinione dhe përfundimi është se duhet bërë vaksinimi”,- tha një mësuese e një shkolle në Bradashesh.

“Shumë mirë, me zor e prisja ta bëja vaksinën. Nuk kishte asnjë problem që ishte AstraZeneca, mora informacion dhe nuk është problemë”- tha një tjetër mësuese.