Vaksinimi me AstraZenca në Shqipëri duhet të vazhdojë. Është ky vendimi i Komitetit të Imunizimit, pas debateve në Europë për efektet anësorë të vaksinës.
Në një intervistë për Televizionin Klan, anëtari i Komitetit të Imunizimit, Genc Sulçebe thotë se rastet e mpikjes së gjakut nga vaksina janë më të pakta se ato që ndodhin në një situatë normale.
“Të vazhdojë vaksinimi me AstraZeneca pas asnjë problem. Efektet anësore janë shumë më të pakta se ato që kemi nga medikamentet që përdorim në jetën e përditshme. Bëhet fjalë për 37 raste të mpikjes së gjakut që ka ndodhur në 17 milionë banorë të Europës. 2 raste në 1 milionë. Është një numër rastesh më i ulët se sa numri i rasteve normale”.
Vendimin e disa vendeve për pezullim të vaksinimit me AstraZenca, mjeku imunolog Genc Sulçebe e quan politike.
“Këto janë vendime më tepër politike. Nuk janë marrë nga këshillat e mjekëve apo specialistëve, por ndërkohë EMA dhe OSBSH kanë dhënë shenja të qarta që nuk bëhet fjalë për efekte anësore shqetësuese të cilat justifikojnë ndërprerjen e vaksinimit. Në rastin tonë, AstraZeneca është vaksina kryesore”.
Në vend deri tani janë kryer mbi 30 mijë vaksinime, ku bëjnë pjesë bluzat e bardha, të moshuarit mbi 80 vjeç dhe mësuesit./ Tv Klan