Nga zona e njohur si “Fresku” në Tiranë, kryebashkiaku Erion Veliaj njoftoi se shumë shpejt aty do të ndërtohet një parashkollor i ri, shkollë 9-vjeçare e re dhe një gjimnaz i ri, të gjitha në një hapësirë.

“Ish ndërtesa e shërbimit Informativ-Ushtarak po zbrazet dhe aty do të ndërtojmë një gjimnaz, një shkollë 9-vjeçare dhe parashkollor. Pra, fëmijët nga mosha 4-vjeç deri në 18 vjeç nuk do kenë arsye të largohet nga Fresku. Do të kemi shkolla cilësore, si shkolla Kosova, “Servete Maçi” etj”, nënvizoi Veliaj.

Ai tha se me votimin e reformës territoriale është bërë e mundur ndarja e lagjeve, gjë që ka sjellë më afër shërbimet për qytetarët.

“Me anë të votës bëmë reformën territorial, i ndamë lagjet më vete dhe krijuam zyra shërbimesh më afër njerëzve. Për të marrë shërbimet, banorët e Freskut shkonin ose te Njësia 3 ose te Njësia 4, ose duhet të hipnin lart në Dajt. Sot, është afruar edhe shërbimi shëndetësor”, tha ai.

Veliaj theksoi se për Partinë Socialiste është çdo ditë fushatë dhe këtë e ka treguar puna.

“Ne do vazhdojmë me asfaltimet në zonën e Freskut. Do jetë kantier pune, edhe gjatë Majit, edhe gjatë Qershorit, edhe kur njerëzit të shkojnë me pushime. Sepse unë nuk besoj te puna që bëhet vetëm në Fushatë. Parimi ynë është: fushatë është çdo ditë”, u shpreh drejtuesi politik i PS-së për Tiranën, Veliaj.