Nga Alfred Peza/ Opozitarët e bazuan sigurinë e tyre për të mundur PS dhe Edi Ramën e për tu rikthyer në pushtet, jo tek tek realiti dhe të vërtetat politike e elektorale, por tek mitet e rreme. Jo tek programi më i mirë, ekipi më i fortë dhe fryma e ndryshimit, por tek bindjet e tyre dhe besimi kolektiv, që nuk bazohej mbi faktet.
Përmes propogandës e mediave, ata e bombarduan popullin opozitar me fantazi, folklorizma, të dhëna konfuze, dëshira personale dhe legjenda urbane. Po kush janë mitet e rreme, ku e bazoi Sali Berisha, Lulzim Basha, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi strategjinë e vet të gabuar, që i çoi në humbjen e zgjedhjeve të 25 prillit? Po rendis më poshtë, disa prej tyre, që rrëzoi ky proces?
1.- Miti: “Opozita do të fitojë, sepse asnjë mazhorancë nuk ka qëndruar më shumë se 8 vjet radhazi në pushtet, në 24 vitet e fundit në Shqipëri”. Ky rezultoi një mit i rremë, sepse nuk ka asnjë rregull të tillë në Kushtetutën e Shqipërisë, i cili siç dihet është i ndryshëm nga sistemi amerikan që e kufizon një President për të mos qeverisur dot më shumë se dy mandate radhazi. Edi Rama fitoi mandatin e tretë.
2.- Miti: “Opozita ska pse organizohet në terren e të punojë çdo ditë me njerëzit, duke i udhëhequr me forcën e moralit drejt ndryshimit. Mjafton që nga selia e partisë në Tiranë, përmes propogandës dhe mediave, të nxijmë gjithçka të mazhorancës e demonizojnë Edi Ramën”. Ky rezultoi një mit i rremë, sepse ndryshe nga shumë vite më parë, shoqëria është e informuar nga shumë burime alternative.
3.- Miti: “Sali Berisha nuk është lideri “de facto” i opozitës. Ai është një deputet që qëndron në hije, madje nuk vjen as në Tiranë por qëndron në Gjirin e Lalzit”. Ky rezultoi një mit i rremë, sepse kushdo nga votuesit shqiptarë jo militantë të PD, e kuptoi që ai i luan të gjitha fijet kryesore në prapaskenë. Fitorja e opozitës, nuk ishte për Lulzim Bashën, por për ta rikthyer Sali Berishën për herë të tretë në pushtet!
4.- Miti: “Presidenca është e vetmja nga institucionet e Republikës e pakapur nga Edi Rama, ndaj Ilir Metës i falet të bëjë gjithçka edhe përtej Kushtetutës, si një garanci për të balancuar të gjitha pushtetet e uzurpuara nga mazhoranca”. Ky rezultoi një mit i rremë, ndaj shqiptarët nuk e kapërdinë dot atë, ndaj e ndëshkuan me votë këtë model. Ilir Meta e humbi thellë referendumin përballë Edi Ramës.
5.- Miti: “E gjitha çfarë ka bërë e po bën opozita, ka vetëm një qëllim, rrëzimin me çdo kusht të Edi Ramës nga pushteti për të mirën e Shqipërisë dhe të së ardhmes së saj europiane”. Ky rezultoi një mit i rremë, sepse dalja e opozitës me dy lista të ndryshme kandidatësh për deputetë, dëshmoi se për liderët e saj interesi i tyre personal është mbi atë të popullit opozitar dhe partia është mbi Shqipërinë.
6.- Miti: “Edi Rama dhe PS do të blejnë vota përmes pushtetit dhe do të ngrenë një sistem për grabitjen e zgjedhjeve, duke deformuar vullnetin elektoral të shqiptarëve”. Ky rezultoi një mit i rremë, sepse faktet dëshmuan që LSI u vërtetua se ishtë në krye të këtij fenomeni, ndërsa sistemit i ngritur nga PD për mbrojtjen e votës rezultoi një strukturë terroriste vrasëse, për ti futur frikën kundërshtarit politik.
7.- Miti: “Patronazhistët e PS janë një strukturë për të kontrolluar jetën e shqiptarëve, për marrjen dhe përdorimin e të dhënave të tyre personale, me qëllim kërcënimin për vendet e punës dhe biznesit”. Edhe ky rezultoi një mit i rremë, pasi shpejt u mësua se këtë lloj strukture partiake, e kanë të gjitha partitë në Shqipëri. Patronazhimi është praktikë organizative e çdo partie serioze e botës demokratike.
8.- Miti: “Presidenti i Republikës është çdo ditë në terren, gjatë muajit të fushatës zyrtare elektorale, për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme në Shqipëri”. Praktika dëshmoi se Ilir Meta u bë udhëheqësi “de facto” i fushatës elektorale të LSI dhe për shkak se ishte sipas sondazheve udhëheqësi më pak i pëlqyer, kjo ndihmoi në humbjen e thellë të saj. Pas kësaj, ai tha se është gati, të rimarë teserën e LSI.
9.- Miti: “Ligji i ri zgjedhor, nuk e garanton praktikisht, hapjen e listave të kandidatëve për deputetë. Renditja në zonën e sigurtë të listave, të bën automatikisht, edhe deputet”. Praktika tregoi se Fatmir Xhafaj e Orlando Rakipi të PS që garuan në Tiranë dhe Luçiano Boçi i PD në Elbasan, megjithëse të renditur jashtë zonave fituese në lista, ia dolën që të jenë në shtator në sallën e Parlamentit.
10.- Miti: “Nëse Edi Rama fiton 71 mandate, do jap dorëheqjen si President i Republikës”. Ky rezultoi më shumë se një mit i rremë, sepse ishte një deklaratë plotësisht e rreme. Edi Rama nëse nuk do të fitonte 71 mandate, do të ishte larguar tashmë nga skena politike. Por as Ilir Meta, as Monika Kryemadhi, as Sali Berisha e as Lulzim Basha nuk do ikin vetë. Sepse opozita nuk ka liderë të vërtetë. Janë një mit i rremë!