Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Elbasanin, Taulant Balla zhvilloi një takim me të rinjtë e Elbasanit.
Ai analizoi mënyrën se si po e organizon Lulzim Basha fushatën elektorale, duke e konsideruar atë si një luftë.
“Më thanë djemtë e rinj se Lulzim Basha kishte bërë një takim për të thënë “poshtë Taulant Balla”, imagjinoni të thotë dikush nga ju “poshtë Gaz Bardhi”, tani Gazi duhet të ngrihet lart pasi mbeti gjithmonë poshtë. Prandaj ne nuk bëjmë idiotësi të tilla, ne jemi në garë elektorale dhe jo në luftë”, theksoi Balla.
Ai iu tha të rinjve se përmes Partisë Socialiste do të jenë në gjendje të tranformojnë çdo ambient që duan.
“Sot çdo i ri dhe çdo e re duhet të jetë aleat me Partinë Socialiste, sepse vetëm Partia Socialiste është sot instrumenti i vetëm politik në duart e të rinjve dhe të rejave për të transformuar çdo ambjent ku ndodhen”, u shpreh ai.
Më tej, Balla iu kujtoi të rinjve që bandat për të cilat flet Basha, janë të njëjtat me të cilat kryetari i opozitës ka bashkëpunuar disa vite më parë.
“Lulzim Basha flet për bandat e Elbasanit, ai i cili kur ishte deputet në këtë qytet në 2009, bënte marrëveshje më bandat për t’i liruar nga burgu dhe për t’iu marrë votat. Ky i “virgjëri” që vjen natën pas orës 8 në Fushë-Mbret për të marrë ndonjë votë”, tha ai.
Më tej ai rikujtoi protestën e 2011 ku me qeverisjen e Partisë Demokratike u vranë njerëz. Ai e krahasoi këtë me protestën e 2018 kur qeveriste Partia Socialiste dhe ku studentën arritën qëllimin e tyre dhe nuk lejuan opozitën t’iu vidhnin protestën.
“Në 2011 Lulzim Basha bashkë me babain e tij politik Sali Berishën, të vrisnin po të shkoje të protestoje para xhamave të Kryeministrisë. Të rinjtë e të rejat protestuan për ditë të tëra para ministrisë dhe në fund e arritën qëllimin e tyre. Kjo ka qënë protesta më e mirë pas asaj të vitit ’90. Protesta e të rinjve në 2018 na dha një shuplakë të mirë neve të Partisë Socialiste, por neve na dhanë shuplakë ndërsa Lulit i dhanë një derr grushti në kuptimin politik. Kjo pasi të rinjtë ishin shumë herë më të acaruar me opozitën e cila u përpoq t’u vidhte studentëve protestën. Nuk duhet të harrojmë paktin për universitetin, sepse ne vazhdojmë t’u qëndrojmë besnikë”, u shpreh Balla.
Balla e përfundoi fjalën e tij duke iu bërë thirrje të rinjve që të votojnë Partinë Socialiste me 25 prill.
“Ne kemi nevojë ta çojmë përpara Reformën në Drejtësi, e cila mund të rrezikohet nëse ne bëjmë atë që bën Luli, të flemë deri në 11. Prandaj me 25 prill duhet të votojmë herët në mëngjes”, përfundoi Balla.