Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Elbasanit, Taulant Balla zhvilloi një takim me pensionistët në Fushë-Studën, Librazhd. Balla u shpreh se Librazhdi sot është në një moment shumë të rëndësishëm për përmbylljen e një procesi transformimi të qytetit. Ai garantoi se mbështetja ndaj moshës së tretë mbetet një pikë e rëndësishme për të dhe qeverinë.
“E vërteta është që transformimi i Librazhdit është në një moment shumë të rëndësishëm dhe që për ne është shumë e domosdoshme që punët që kemi nisur t’i vazhdojmë, në mënyrë që të arrijmë që jo vetëm qendra e qytetit, por çdo cep i qytetit të përmbyllet një proces transformimi. Do të vazhdojmë gjatë këtij viti edhe me zonën të ashtuquajtur ish-stacioni i Trenit, edhe zonën tek ish-ushtaraku dhe me pjesë të tjera të qytetit për të përmbyllur atë që quhet rilindja urbane e qytetit. Me sistemin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza dhe të ujit të pijshëm, kjo ishte një domosdoshmëri dhe që u bë falë mbështetjes së qeverisë shqiptare dhe qeverisë gjermane. Sot mund të themi që më në fund i kemi të gjitha enët e gjakut brenda trupit të qytetit të pastërta dhe që mund të rezistojnë për 50-60 vite. Unë jam shumë krenar që sot kemi të njëjtin tubacion që përdoret në qytetet më të mira të Gjermanisë.
Padyshim që mbështetja ndaj moshës së tretë për mua mbetet një gjë shumë e rëndësishme dhe fakti që nga një qytet që s’kishim asnjë park, sot kemi një park dhe do të ndërtohet edhe një tjetër në qendër të qytetit. Do ndërtojmë edhe një sistem shkallësh që ajo zonë mbi qytet është si një ballkon mbi qendrën e qytetit dhe të jetë në dispozicion kryesisht të moshës së tretë dhe të nënave me fëmijë. Të kesh dy parqe shtuar këtu edhe pjesa tjetër e gjithë kësaj pritës së lumit, ajo do të vazhdojë investimi, fillon puna në ditët në vijim për ta çuar deri në kryqëzimin me lumin Rrapun. Shtatë vite më parë ne ishim një qytet që nuk kishim një qendër qyteti, kishim plot punë publike pa kryer, me shkolla të lëna në harresë, me një spital të lënë pas dore dhe qoftë larg të na kishte gjetur pandemia me kushtet e spitaleve që gjetëm në vitin 2013”, u shpreh Balla.
Ai theksoi se nëse PS nuk do të kishte ardhur në pushtet në vitin 2013, dy vite më vonë sistemi i pensioneve në Shqipëri do të kishte falimentuar.
“Unë jam shumë krenar që ne po vazhdojmë vaksinimin dhe do i nxisja të gjithë të bëjnë vaksinimin sepse ajo që na duhet është që në fund të majit të hapemi plotësisht. Lidhur me moshën e tretë dhe me pensionet, dëgjoni shpesh në televizor besoj që “Jo s’janë rritur pensionet, jo janë bërë kaq, janë bërë aq”, e vërteta është që nëse PS nuk do të kishte fituar zgjedhjet ne vitin 2013, në 1 janar 2015 sistemi i pensioneve në Shqipëri falimentonte sepse kishte shkuar drejt greminës për shkak të mungesës të të siguruarve. Asokohe pjesa më e madhe punonin, por nuk siguroheshin një pjesë dhe kishim arritur në koefiçentin 1.4 me 1, që në vendet normale duhet të jetë koefiçenti 3 më 1,3 të punësuar edhe 1 që të marrë pensionet. Këtë vit bonusi që jepet në fund të vitit do të jetë i dyfishuar. Të dashur prindër, unë dua tu them që ne kemi mundësinë që këtë mandat historik për PS, mua personalisht, por edhe Edi Ramën, ta transformojmë në një referendum”, përfundoi Balla.