Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell, kërkoi nga Qeveria e Kosovës të angazhohet për vazhdim të shpejtë të dialogut Prishtinë-Beograd, të lehtësuar nga BE-ja, dhe normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve me Serbinë.

“Unë kam dëshirë që t’ju pres për takimin e ardhshëm të nivelit të lartë të dialogut sa më shpejtë të jetë e mundur dhe qëndroj fort i vendosur për të ndihmuar të dy palët të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, shkruante ai në letrën e urimit të dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për zgjedhjen e tij në këtë pozitë. Mes të tjerash, ofronte edhe ndihmën e bllokut në luftën kundër pandemisë dhe në reforma.

“Kjo luftë do të mbetet një prioritet kryesor për të ardhmen. Ne gjithashtu duam ta shohim Kosovën teksa përparon në rrugën e saj europiane. Do të nevojiten përpjekje të vendosura për reforma, për të forcuar sundimin e ligjit në Kosovë dhe për të promovuar zhvillimin socio-ekonomik”, shprehet Borrell. Por theksin ai sërish e vendosi në mënyrë të veçantë tek kërkesa që qeveria e re në Prishtinë të angazhohet në dialog me Serbinë për arritjen e një ujdie gjithëpërfshirëse, e cila do të mund të zgjidhte mosmarrëveshjet e gjata mes dy vendeve.

Kurti ka deklaruar se e dialogu nuk është prioriteti kyç i tij, pasi qeverisë që ai e udhëheq, do t’i duhet të merret më shumë me forcimin e sundimit të ligjit dhe krijimin e vendeve të punës. Ndërsa ka vendosur, sic thotë, parime, të cilat duhet të zbatohen nga ana e Serbisë në mënyrë që të ketë dialog mes dy vendeve.