Një tjetër rast i shitblerjes së votës është zbuluar, kësaj here në qarkun e Vlorës. Burime për Report Tv bëjnë me dije se janë arrestuar dy persona, njëri me kombësi turke dhe tjetri shqiptar. Sipas të njëjtave burime, vota po blihej në favor të partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, megjithatë nuk dihet ekzaktësisht dinamika e ngjarjes.
I arrestuari me kombësi turke është identifikuar me incialet A.B e ndërsa shqiptari me inicialet J.M. Burimet nga blutë e qytetit bregdetar bëjnë me dije gjithashtu se u është gjetur një bllok me emra, të personave që dyshohet se do u blinin votën si edhe u janë sekuestruar telefonat celular për shkak se ka pasur biseda që konfirmonin këtë vepër penale. Arrestimi i tyre ka ardhur si rezultat i një operacioni që kishte nisur për një tjetër vepër penale, jo atë të shit-blerjes së votës.
Çështja do t’i kalojë SPAK, e cila ka në kompetencë hetimet për krime zgjedhore, ku siç ka raportuar më herët Report Tv, kjo strukturë do të jetë në terren edhe më 25 prill dhe do të bëjë monitorim në të 12 qarqet për të shmangur krimet zgjedhore!
Një tjetër rast i ngjashëm është raportuar edhe në Pukë, ku kanë rënë në pranga sekseri dhe nën hetim drejtuesi politik i LSI-së, Vasil Shabani dhe Demir Syla, teksa iu gjetën një sasi prej 528 mijë lekësh si edhe një listë me emra. Pas raportimit të këtij rasti, ka ardhur edhe reagimi i LSI-së, ku e kanë mohuar të jenë përfshirë në shitblerje të votave, por po bënin prova për votimin.