Nga Eldon Gjikaj/ Në fjalimin përshëndetës të Ramës në sheshin Skënderbej, pas fitores së mandatit të tretë qeverisës, mes të tjerash, ai aritkuloi në mënyrë ekspliciste projektin politik për bashkëpunim me Partinë Demokratike, si një vizion ardhmëror për progresin e Shqipërisë: “E di mirë po ashtu se nuk mjafton vullneti ynë, as i imi, as i të gjithëve ne, fituesve, sepse duhet dhe vullneti i Partisë Demokratike e i kujtdo që do ta drejtojë atë në katër vitet e këtij kapitulli të ri të jetës sonë demokratike, por unë e kam mësuar dhe e kam provuar më shumë se një herë në jetën time, për dreq, tani nuk është më dhe aq e shkurtër kjo jeta ime, se asgjë që njeriu e ëndërron me sy hapur, nuk është e pamundur dhe ëndrra ime me sy hapur është që Shqipëria e kësaj dekade, që nisi me mandatin e tretë radhazi të Partisë Socialiste të bëhet kampione e Ballkanit në turizëm dhe agroturizëm, në energji, në bujqësi dhe në shërbime cilësore të shpejta e të pakorruptueshme digjitale për ëdo njeri të zakonshëm të këtij vendi”.
Fjalët e mësipërme të Ramës, qendrorizuar te koncepti politik i gjithëpërfshirjes, me kryefjalë “ëndrrën”, përkojnë në frymë dhe filozofi me një prej ligjëratave më të famshme dhe më frymëzuese në historinë e politikës, atë të Martin Luter Kingut, “Unë kam një ëndërr” në Amerikën e fillimit të viteve ‘60-të: “Unë kam një ëndërr se një ditë ky komb do të ngrihet dhe do të jetojë kuptimin e vërtetë të besimit të tij: Ne mendojmë se këto të vërteta janë të vetëkuptueshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë. [..] Sot kam një ëndërr! Kjo është shpresa jonë.”
Është hera e parë në historinë e pluralizmit shqiptar, që një lider pastërtisht fitues angazhohet në një projekt të tillë, pa patur asnjë nevojë numrash për të qeverisur. Që fitorja ishte e pastër mjafton të përqëndrohesh te rezultatet e Tiranës, ku Partia Socialiste rezulton fituese jo vetëm në zonat tradicionalisht të majta, por edhe në ato që prej opozitës etiketoheshin si bastione të tyre (përshembull në zonën e Sharrës, e shpallur si mbështetëse e fortë e opozitës, Partia Socialiste fitoi 40% vota më shumë krahasuar me vitin 2017). Në këtë nismë Rama niset prej një vizioni ndryshe, që në thelb synon zhvendosjen e gravitetit politik nga pjesa drejt së tërës, nga mikro në makro; një ambicie (skajore kjo në habitatin tonë politik, të cilit e shkuara jonë, përgjithësisht e mbrapshtë, i rëndon si lavjerrës), që rreket të kanalizojë në një hulli gjithpërmbledhëse të tëra energjitë pozitive për sa më shumë progres në të ardhmen.
Rama, si garues, pasi ka thyer herësin në pushtetin vendor, duke fituar për herë të parë tre mandate si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, pasi ka thyer herësin e qeverisjes, duke fituar për herë të parë tre mandate si Kryeministër, synon ta “thyejë” për herë të parë historiko-politikisht dhe konceptualisht herësin konfliktual të politikës shqiptare. Një e tillë sfidë patjetër që kërkon një vullnet të fortë të dyanshëm nga pozita dhe opozita, duke u orientuar në një tjetër trajektore dhe marrëdhënie politike, të ndryshme nga ajo tradicionale që në këtë rast “tërheq për poshtë”. Sinkronizimi i energjive përmes një procesi bashkëpunimi, do të mundësojë dinamizimin e realitetit shqiptar në të të gjitha fushat, duke maksimalizuar rekordet dhe pritshmëritë.
Sigurisht që një i tillë proces ngjan shumë i vështirë në kontekstin historik të politikës sonë, por nëse nisma Rama do niste të përfillej pa paragjykim e më pas, dora-dorës, të diskutohej, do të shenjonte një ngjarje me rëndësi substanciale për ardhmërinë e të gjithë shqiptarëve. Tek e fundit, siç shkruan Oskar Uajlldi: “Cdo shenjtor, e ka një të shkuar dhe çdo mëkatar e ka një ardhme”.