Zona e ujësjellësit në Vlorë ishte ndalesa e rradhës e drejtuesit politik të Partisë Socialiste për Qarkun e Vlorës Damian Gjiknuri. Ndërsa u ndal tek projektet e qeverisë për qytetin bregdetar, Gjiknuri u angazhua të çojë përpara proceset e nisura në fushën e legalizimeve për banesat e banorëve të zonave informale.

“Këto zona tuaja janë edhe zona që një pjesë janë periferike, janë dhe zona të cilat janë bërë pjesë e qytetit pas viteve 90-të. Do të thotë se ka edhe probleme të shumta infrastrukturore, ka probleme me legalizimet, ka probleme të tjera infrastrukturore që kërkojnë investime qoftë nga qeveria, qoftë nga bashkia, ndaj roli im si drejtues politik është të jem aty ku është zona më e vështirë. Prandaj kam zgjedhur zonat rurale, për të qenë pjesë e nxitjes së proceseve këtu”, u shpreh Gjiknuri.

Në komunikimin me banorët, Gjiknuri sqaroi se mandati i tretë do të jetë mandati i përfundimit të punëve të nisura, i implementimit të strategjive dhe projekteve trasformuese për Vlorën.

“Duhet të shpërblehen njerëzit që kanë bërë punë, dakord nuk i kanë bërë të gjitha, thanë dhjetë dhe bënë tre por nuk mund t´ja japësh mundësinë atij që nuk ka bërë asgjë, e që premton se do të bëjë një qind punë. Unë them se me këtë gjuhë duhet folur se me gjithë këto projekte të nisura duhet të shkojnë deri në fund, pasi po bëhen gjëra të mëdha. Vlora do të jetë qendra më e rëndësishme e investimeve. Kështu do të gjenerohen më shumë të ardhura edhe për bashkinë, e cila do të ketë mundësi të investojë më shumë për zonat rurale. Nga ana tjetër, ne mbështetjen e kemi pasur nga qeveria, nga Kryeministri. Kush do ti bëjë këto, ata që kanë bërë gjithë këto projekte që i kanë nisur apo ata që nuk kanë bërë asnjëherë?! Vjen Lulëzim Basha thotë që do të dyfishojë ekonominë, po kush e ha këtë, njerëzit binden nga programet elektorale që janë të realizueshme. Edi Rama e ka treguar me vepra se e ka dashur këtë qark”, nënvizoi Gjiknuri.

Gjiknuri kërkoi mbështetjen e banorëve për skuadrën e Partisë Socialiste, si skuadrën më përfaqësuese për komunitetin. “Mos i besoni forcave të tjera, mos i besoni Presidentit i cili bredh natën sikur po kërkon vota për këshilltar komune”, këmbënguli Gjiknuri.