KryeministriRama, në një takim me fermerët në Moravë të Beratit, ka folur për fashën orare, të vendosur nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, për të frenuar përhapjen e pandemisë COVID-19. Në përgjigje të kërkesës së një fermeri në zonën e Moravës i cili tha se ora policore i zë fermerët në arë, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se fasha orare nuk duhet të pengojë punën por jetën e natës.
Kryeministri theksoi se ka kërkesa të shumta për rritjen e fashës orare, por sipas tij, jemi në një situatë që nuk duhet të nxitohemi.
Rama u shpreh se Komiteti nuk pyet asnjë njeri, përfshirë edhe vetë atë, por shtoi se nisur nga kërkesat e shumta që ka pasur për zgjatjen e orarit do të bëhet më e mira për të gjetur një zgjidhje, veçanërisht në zonën e fshatit.
“Komiteti nuk pyet as mua as njeri. Ajo fashë orare nuk pengon punën. Fasha orare nuk është për ata që janë në punë. Në zonën e fshatit nuk duhet të aplikohet për ata që janë në punë. Është vala e tretë. Është versioni britanik. Nuk është vdekje prurës por njësoj si tjetri por ka transmetueshmëri më të lartë. Duhet të jemi të kujdesshëm. Për të rritur vaksinimin. Do shkojmë gjysmë milioni të vaksinuar brenda majit.Do e shikojmë këtë pjesë veçanërisht për zonën e fshatit. Se thonë disa që ikën virusi ditën dhe vjen natën. Problemi i natës lidhet me jetën e natës. Jeta e natës e ka prirjen për t’u relaksuar. Nuk është njësoj si të dalësh për një kafe në mëngjes, Do e shikojmë dhe do bëjmë më të mirë”, u shpreh Kryeministri.