Drejtuesi politik i Partisë Socialiste të Tiranës Erion Veliaj, ka ironizuar strategjinë e fushatës së PD, duke e quajtur hipokrizi atë që i serviret publikut si risi nga kreu demokrat Lulzim Basha, kur e vërteta është se asgjë nuk ka ndryshuar nga partia 30-vjeçare e cila vijon të drejtohet nga Sali Berisha.
“Kanë marrë konsulentë të rinj, por janë po ata. Ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron. Janë po ata që hidhnin në erë shtyllat e tensionit. Janë po ata të ’97. Janë po ata që thonin ““Sudja” dhe “Xhaferri” janë si bankat zvicerane”. Janë po ata që zaptuan Lanën dhe Parkun “Rinia”. Janë po ata që vranë njerëz në 21 Janar. Janë po ata që hodhën në erë njerëz në Gërdec. Është e njëjta listë me Fatmir Mediun. Është e njëjta listë me Shpëtim Idrizin. Është e njëjta listë me Dulen. Është e njëjta listë me Dash Shehin. Është e njëjta listë me Sali Berishën, që këtë vit kalon moshën e Enverit. Këshilltarët i thonë mos dil kurrë me Saliun, madje duhet ta heqim edhe nga ekranet këto 2 javë dhe pastaj do jetë prapë Saliu ai që do vendosë çfarë do ndodhë me atë parti, pasi t’i humbasë zgjedhjet për herë të 5-të. I mundëm në 2013-ën, 2015-ën, 2017-ën, 2021-shin. Miqtë e mi, kanë ndërruar gunën. Janë po ata,” tha Veliaj.
Ai nuk la pa përmendur edhe marrëdhënien e komplikuar të Bashës me Kryemadhin, që imponohet prej faktit se ka një urrejtje të madhe të qytetarëve edhe ndaj dy drejtuesve të vërtetë të LSI. “Këshilltarët i kanë thënë, “s’duhet të dalësh me Monika Kryemadhin”! “Po çfarë të bëj, – thotë ai, – si të mos dal me Monikën?! Unë isha te Plaza, bëmë koalicion…” “E di, por, ja, na del nga të gjitha sondazhet që është dramë. Saliun e urrejnë. Ilirin e urrejnë. Monikën e urrejnë. Ti thjesht s’duhet t’u kujtosh njerëzve Bashkinë e Tiranës dhe s’duhet të dalësh me Monikën”! E patë që LSI-ja s’pati hapje të fushatës, se ishin përgatitur të shkonin në shesh dhe pastaj e anuluan? Imagjino, i vjen turp nga aleatët!”- u shpreh Veliaj.
Duke iu referuar dhe një prej spoteve të fushatës elektorale të PD, kreu i Bashkisë së Tiranës i ka kërkuar Lulzim Bashës që përpara se t’u kërkojë shqiptarëve të mos largohen, të bindë bashkëshorten e tij të bëhet shqiptare dhe t’i japë votën.