Vijon me ritëm të lartë puna në kantierin e Kampusit Universitar Bujqësor të Tiranës në Kamëz.

Kryeministri Edi Rama së bashku me kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj kanë ndjekur nga afër punimet, ku Rama theksoi se sfida është të vijojmë punën dhe jo të ndalemi pas 25 prillit.

“Çdo sektor i jetës sonë sot, është si ky kantier kuptimplotë i Kampusit të Universitetit Bujqësor pas tërmetit. Dhe pyetja është e thjeshtë: Do të vazhdojmë deri në fund përpjekjen e mundimshme për të arritur aty ku duhet dhe duam të gjithë apo do të ndalemi e do kthehemi përsëri mbrapsht?! 8 godina të reja për 2200 studentë, të cilët do të jetojnë në kushte optimale si në konviktet më cilësore në Europë”, shprehet Rama.

“Të shtunë e të diel, ky kantier është si Shqipëria sot në ekonomi, në arsim në shëndetësi, në energji, në turizëm, në drejtësi dhe ne duam që të përfundoj ca shikon atje të bëhet sipas skicës. Pyetja më 25 prill është do vazhdojë ta çojmë deri në fund apo të kthehemi pas. Të vazhdojmë pa u lodhur se edhe pse e dimë e ndjejmë që ngjitja sa më shumë ngjitesh aq më sfiduese bëhet, apo do gjejmë rrugë të shkurtra që të nxjerrin gjatë. Ky nuk është një kantier ku sot të vijën të gjithë të vijnë të banojnë të lumtur, por është një kantier që preket qartësisht dhe shihet se e ardhmja është këtu dhe po ndërtohet këtu”,- tha Rama .

“Ky është kampus tipik i Qytetit të Studentit. Është pjesë e universitet. 10 milionë dollarë nga qeveria shqiptare, pret 2200 studentë dhe kthehet dhe qendër komunitare. Ambienti është i përdorshëm nga e gjithë zona”,- u shpreh ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj.

“Kemi parashikuar që gjysma e objekteve të jenë gati brenda shtatorit, në varësi dhe të ecurisë së vaksinimit, duke patur parasysh dhe kur do merret vendimi për hapjen e universiteteve. Prandaj mendojmë se në shtator-tetor gjysmat do jenë gati. Duke patur parasysh që ditën që i prishëm 8 nga 9 godinat ishte zaptuar vetëm njëra ishte për student, tani do jenë të teta për studentët. Kushtet janë shumë të mira, me kuzhinë e banjë të brendshme, nga fakultete dhe universiteti e tjera të transferohen këtu”,- tha kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj.

Inxhinieri i zbatimit në kantier bëri të ditur se “kanë nisur të tetë objektet të rindërtohen, dy nga të cilat kanë mbaruar konstruksionin, janë në fazë murature, të tjerat janë në konstruksion. Kemi nisur edhe infrastrukturën publike, sistemet e kanalizimeve dhe ujërave të shiut”.