Pak muaj më parë shqiptarët e Kosovës hapën një peticion, që Kosova të njihej si shtet nga platforma e madhe kinematografike, Netflix.
“Kur shqiptarët e Kosovës hyjnë në Netflix, vendndodhja e tyre shfaqet sikur të ishin në Serbi, edhe pse ata po e përdorin platformën nga Republika e Kosovës”, thuhej në peticionin e kësaj nisme.
Fatmirësisht qëllimi është arritur dhe tashmë Kosova njihet si shtet nga platforma në fjalë.
Peticioni hapur online u nënshkrua nga 37 mijë persona dhe dëshmoi edhe një herë se gjithçka mund të arrihet nëse të gjithë njerëzit bëhen bashkë. Peticioni “Add Kosovo as a country in Netflix”, kërkonte që të vendoset kodi telefonik në hyrje të regjistrimit për shqiptarët nga Kosova që duan të krijojnë qasje në kompaninë gjigante të distribuimit kinematografik, Netflix.
Lajmin për arritjen e qëllimit e bëri të ditur iniciuesi i këtij peticioni, Sovran Hoti.
“Nuk u deshën 200 mijë, me 37 mijë nënshkrime dhe rreth 2 muaj, Netflix e dëgjoi thirrjen tonë. Netflix ka shtuar Kosovën në listën e shteteve me kodin telefonik +383 në platformën e tyre. Presim t’pasoj e njëjta edhe për vendnodhjen e përdoruesve kosovarë. Faleminderit të gjithëve që më keni mbështetur në këtë arritje simbolike, por të dinjitetshme!”, ka shkruar Sovran Hoti në një postim në Facebook.
Nisma për përfshirjen e Kosovës në platformën e Netflix kishte nisur 2 muaj më parë.