Nga Peza, ku një tjetër shkollë po ringrihet nga rrënojat e tërmetit të 26 Nëntorit, Erion Veliaj ka bërë thirrje për bashkim dhe jo për rikthim në mesjetën e atyre që bëjnë thirrje terroriste për vota e pushtet.

“Sot është një ditë e mirë për Pezën. Çdo 16 Shtator ne vijmë për të përkujtuar Konferencën e Pezës, e cila bashkoi shqiptarët kudo, përtej të majtës dhe të djathtës, përtej veriut dhe jugut, një mesazh që na duhet sot më shumë se kurrë. Na duhet të bashkohemi! Nuk ka asnjë arsye që dikush nga Tropoja të luftojë me dikë në Elbasan, apo dikush nga Tepelena të luftojë me dikë në Shkodër. Nuk është kjo fryma e Konferencës së Pezës dhe nuk duhet të jetë as fryma e 25 Prillit,’ tha Veliaj.

Duke dënuar ashpër gjuhën e përdorur nga Xhelal Mziu i cili bënte thirrje për të vrarë si në Elbasan, drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Tiranën tha se në 25 Prill duhet të gjithë tu tregojmë vendin me votë atyre që flasin për grupe terroriste e ekzekutime publike.

“Këto gjëra nuk ndodhnin as në kohën e luftës me fashizmin! Të dëgjosh në shqip fjalë që ti i ke dëgjuar nga nazistë, ISIS, apo nga Agimi i Artë, është një habi e madhe. Lajmi i mirë është që kemi dy ditë kohë që të largohemi nga kjo gjuhë, dy ditë kohë që të ndahemi prej të gjithë këtyre xhelalëve dhe xhelatëve që flasin për prerje duarsh, prerje këmbësh dhe për ekzekutime publike të njerëzve që t’i dyshon dhe që na kthejnë në mesjetë, në turrën e drurëve të mesjetës nuk ka lidhje me civilizimin,’ tha Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës tha se Partia Socialiste është ajo që ngre shkolla dhe investon në dije. ‘Ne këtu po flasim si shkolla nga 400 metra katrorë të shkojë në 3600 metra katrorë, pra të 9-fishohet sipërfaqja, të shtojmë mundësinë që djemtë dhe vajzat në Pezë duke filluar nga mosha 4 vjeç deri në 18 vjeç, nga parashkollori deri në gjimnaz, ta shohin të ardhmen këtu në një vend kaq të bekuar dhe të begatë. Kështu që kemi dy ditë kohë për të dhënë një mesazh, që do ecim përpara dhe jo mbrapa, që do ecim me punë dhe jo me dhunë, që do ecim përpara me arsim dhe jo me injorancë,’ deklaroi ai, duke shtuar se është koha që t’i themi mesjetës shko në shtëpi dhe të ardhmes ecim përpara.