Ai mund të konsiderohet si një nga kandidatët më të pazakontë të 25 prillit, edhe pse nuk është një emër i panjohur, pasi vitet e fundit ka mbajtur poste të rëndësishme, fillimisht zi zv.ministër Drejtësie e më pas kryetar i Këshillit Bashkiak e prefekt i Qarkut të Tiranës.
Bëhet fjalë për Toni Gogun, ish-pastorin e krishterë, që kandidon në Tiranë për Partinë Socialiste, i renditur në numrin 11. Për të njohur më mirë, ne i kemi marrë një intervistë “ndryshe” atij.
1-Çfarë e shtyn një “njeri të Zotit” t’i hyjë politikës, kur ajo është sinonimi i korrupsionit, sidomos në një vend si Shqipëria?
Dashuria për Zotin, për robin dhe per ndryshimin. Politikës nuk i shmangemi dot. Ata qe mendojne se i shmangen ose e bojkotojne ate, jane me politike se te gjithe ne te tjeret, sepse sapo kane votuar “pezullin”. Sapo kanë votuar t’i lënë gjërat njësoj siç kanë qenë.
Zoti kujdeset per krijimin e vet me nje pasion, qe s’vdes kurre. Vetem driteshkurtesia apo mosnjohja e Tij, mund te pohojne se Ai nuk e vret mendjen dhe nuk ia ndjen, sesi qeveriset bota dhe njerezit. Perkundrazi! Menyra sesi sillemi me Te dhe me njeri-tjetrin, se cfare ligjesh hartojmë të bashkejetojme apo se cfare rregullash zbatojme te bejme ekonomi jane instrumenta te rendesishem per te vene drejtesine ne vend. Po citoj vetem disa vargje nga Shkrimi i Shenjtë:
‘Drejtësi u jep të shtypurve,
ushqim u jep të uriturve,
Zoti çliron të robëruarit.
Zoti u hap sytë të verbërve,
Zoti i ngre të kërrusurit,
Zoti i do të drejtët.
Zoti i mbron të ardhurit,
përkrah jetimët e të vejat
dhe mëkatarëve ua pështjellon udhën. ‘
Jemi ne njerzit qe i japim shije politikes, sic i japim cdo fushe te jetes shoqerore. Sic i jep mjeku, mësuesi, kasapi, bukepjekesi, hidrauliku, bujku apo inxhinieri. Ne njerezit ose e “kriposim” ose e kalbim shoqërinë, në varësi të sjelljes dhe veprimeve tona.
Besimtaret, ose “njerezit e Zotit”, sic i quani ju kane shume për të dhënë në politikë. Përkushtimi ndaj drejtësisë dhe dhembshurisë gjithmonë ka sjellë ndryshim në jetën politike dhe atë shoqërore. Mjafton t’i hedhësh një sy historisë tonë dhe spikasin emrat e besimtareve që sakrifikuan për themelimin e gjuhës shqipe, shpalljes së pavarësisë së vendit, themelimit të shtetit apo edhe ngritjes së shkollave të vajzave, jetimoreve dhe spitaleve.
2-Si mendoni ta përmirësoni ju politikën jo vetëm të korruptuar, por dhe të dhunshme shqiptare dhe a mund t’i imponoheni asaj me vlerat dhe parimet tuaja të krishtera?
Sfida ime është të sjellë politikën, pushtetin për të sjellë ndryshim shoqëror në shërbim të banorëve të komunitetit ku banoj, ne vend qe te tallem apo t’a kritikoje nga larg “politiken e korruptuar”. Vlerat dhe parimet misherohen nga njerëzit që i besojnë ato. Ato nuk mund t’u imponohen të tjerëve, pasi historia na ka treguar se imponimi krijon gjithmonë marrëzi si psh Inkuizicioni dhe asnjëherë reformim shoqëror. Me Edin dhe fëmijët kemi zgjedhur të rrënjosemi në komunitetit ku jetojmë, duke njohur nga afer shqetësimet e fqinjve tanë. Por vetëm duke dëgjuar dhe duke lënë mënjanë interesat tona kemi kuptuar rëndësinë jetike të titullit të pronësisë për ekonominë e vogël agrare, apo nevojën imediate të urbanizimit të zonës tonë. Vetëm duke vendosur në shërbim të zgjidhjes së këtyre problemeve gjithë fuqinë dhe instrumentat, që ofron politika, besoj që mund të përmirësoj sadopak atë.
3-Ju militoni në një parti, që në Perëndim është e lidhur me kauza të tilla si ajo për legalizimin e martesave gay apo lejimin e aborteve, të cilat bien ndesh me atë që ju përfaqësoni. Si do të vepronit ju, nëse do të viheshit përballë një sprove të tillë?
Besoj që liria ka kufij, varësia është e mirë dhe se jetën na e ka dhuruar Zoti. Do të mbështesja pa mëdyshje këto bindje.
4-Përse do të duhet shqiptarët të votojnë një parti, e cila ka tetë vjet në qeverisje dhe që nuk ka një bilanc fort të kënaqshëm?
Sepse shqiptarët do të duhet të zgjedhin ndërmjet alternativave të ofruara. Dhe dallimi midis tyre është thelbësor dhe qëndron te programet, ekipet dhe drejtuesit. Plani ynë i veprimit për t’u përballur dhe kapërcyer pasojat e dy fatkeqësive, tërmetit kombëtar dhe pandemisë globale, ka objektiva specifikë, të matshëm, të arritshëm dhe me rezultate konkrete për qytetarët e republikës, përkundrejt një programi të llustruar që ngjan më shumë më një listë dëshirash festash fundviti, ku deficitit vjetor prej 690 milionë dollarësh nuk i janë gjetur ende të hyrat në buxhet.
Në pranverën e vitit të ardhshëm qytetarët tanë do të jenë të gjithë të vaksinuar, 17 mijë familje do të jenë nën strehën e re të banesave të tyre, ndërkohë që ekonomia nën stimulin e ri fiskal do të ketë hyrë në rritje të qëndrueshme dhe optimiste. Mjafton t’i hedhësh një sy ekipeve dhe nuk ka nevojë të kesh PHD në burime njerëzore për të kuptuar që përballë profesionalizmit të Prof. Luljeta Bozos, një ikone të inxhinierisë së ndërtimit, të përkushtimit vetëmohues të doktoreshë Najadës, të kreativitetit zhdërvjellës të sipërmarrëses Bilali, gjenden arkitektë fatkeqësish kombëtare, doktorë që mallkojnë vaksinat dhe sipërmarrës piramidash financiare.
Përsa i përket drejtuesve, kontrasti mes kundërshtarëve dhe Edi Ramës është tamam si “nata me ditën”. Edi Rama komunikoi me çdo qytetar shumë qartë dhe me dhembshuri gjendjen dhe pasojat e fatkeqësive natyrore dhe botërore, me të cilat po përballeshim, që nga casti i pare dhe deri tani, që flasim. Ndërkohë që kakofonia tallëse dhe mosbesuese e kundërshtarëve të vet, sidomos ndaj pandemisë do të mbetet legjendare. Edi Rama hartoi një plan konkret masash për t’u përballur me fatkeqësitë nga njëra anë dhe gjallërimin e ekonomisë nga ana tjetër, që po e zbaton me përpikmëri edhe tani, që bisedojmë. Ndërkohë që verbëria për pushtet dhe dembelizmi cinik, jo vetëm nuk u ofroi qytetarëve as një batanije e një maskë, por vrau përsëri në mes të ditës me diell.
Edi Rama ndërtoi një ekip politik dhe profesional, i cili u përkushtua me mish e me shpirt të nxjerrë shoqërinë tone në anën tjetër të këtij tuneli të gjatë e të errët, ndërkohë që përballë nuk munguan skuthat, që shfaqeshin skutave për t’u hedhur gurë e flake institucioneve dhe për të fshehur dorën, sic e kanë zakon të vjetër. Ne mbyllje, socialistët kanë zakon të ushtrohen me përkushtim e vetëmohim gjatë krizave kombëtare dhe të fitojnë. Kundërshtarët tanë dine mire të ankohen dhe të humbasin rregullisht toruan dhe bashkë me të edhe fillin e së ardhmes.
Profili: Kush është Toni Gogu
Pasi u diplomua për Drejtësi në Universitetin e Tiranës, Toni e filloi karrierën e tij si specialist në Drejtorinë Juridike në Ministrinë e Financave ku punoi për disa muaj. Këtë punë e ndërpreuper të ndjekur një thirrje për tu shërbyer të rinjve në kishën lokale në të cilën ishte anëtar. Gjatë shërbesës së tij shatë vjeçare në kishën “Rilindja” si pastor i të rinjve, Toni u kujdes për formimin shpirtëror, mendor dhe fizik të të rinjve dhe anëtarëve të tjerë të kishës. Përkrah shërbesës në kishën e tij lokale, Toni nuk rreshti asnjëherë së vëni në dispozion të të gjithë komunitetit ungjillor, shprehitë e tij profesionale juridike.
Në vitin 2001 u emërua kancelar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Tiranës ku ishte përgjegjës për administrimin efikas të veprimtarisë së përditshme të administratës gjyqësore.
Pas përfundimit të detyrës në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Tiranës në vitin 2004 Toni mori përsipër detyrën e drejtorit të Kërkimeve në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Ai dhe ekipi i tij mbikqyrën kërkimin ligjor, duke i ofruar sistemit gjyqësor analiza dhe raporte të rëndësishme në shumë fusha të organizimit dhe administrimit gjyqësor, karrierës profesionale të gjyqtarëve, dhe më tej.
Në vitin 2005, pas emërimit si drejtor i Departamentit Juridik në Bankën e Shqipërisë, Toni themeloi departamentin ligjor dhe e drejtoi me profesionalizëm për më shumë se shtatë vjet në këshillimin ligjor të Bankës. Ai arriti të zhvillojë Departamentin Juridik, duke zbatuar një program administrativ që rezultoi në përfshirjen e ngushtë të bashkëpunëtorëve, krijimin e një kulture solide të ekipit dhe në rezultate konkrete. Toni drejtoi diskutime pune të nivelit të lartë për hartimin e strategjisë dhe vizionit, standartizimit të praktikave më të mira bankare, dhe mbikqyrjen e projekteve të ndryshme të mirëqeverisjes së departamentit. Për më tepër, departamenti Juridik menaxhoi çështjet ligjore dhe administrative të Bankës dhe industrisë bankare, ndërmori rregullisht analiza dhe vlerësime ligjore të politikave, procedurave dhe praktikave bankare për të siguruar përputhshmërinë e tyre me standartet ndërkombëtare dhe hartoi strategji për përmirësimin e aspekteve ligjore të rregullimit dhe mbikqyrjes bankare.
Në nëntor të të njëjtit vit Toni mori përsipër përgjegjësinë e drejtimit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, institucioni me qëllim mbrojtjen e depozituesve të vegjël dhe kompesimin e tyre në rast falimentimi të bankës. Si drejtor i përgjithshëm i ASD, Toni udhëhoqi ndryshimin strukturor të institucionit dhe hartimin e një plani të ri strategjik për zhvillimin me efiçencë të aktiviteteve kryesore të Agjencisë si dhe përmbushjen e objektivave të saj. Përveç këtij reformimi, ai bashkë me kolegët, drejtoi proçesin e hartimit dhe zbatimit të ligjit të ri mbi sigurimin e depozitave. Kjo ishte në funksion të përmirësimit të kuadrit rregullativ dhe ligjor të Agjencisë.
Pas më shumë se një dekade shërbimi në institucione publike, Toni mori përsipër drejtimin e një Organizate Jo Fitimprurëse (World Vision) e cila fokusohet në mbrojtjen, edukimin dhe fuqizimin e fëmijëve në nevojë. Si fillim kjo detyrë mbulonte zonën gjeografike të Shqipërisë dhe Kosovës.
Në vitin 2016, World Vision i besoi Tonit titullin e drejtorit për Ballkanin Perëndimor, ku përgjegjësive të tij ju shtua edhe drejtimi dhe koordinimi i ekipit të World Vision Bosnia and Herzegovina. Ai përfaqësoi WV për të gjithë donatorët, partnerët, zyrat dhe divizionet e tjera të Partneritetit të WV, qeverinë lokale, përfaqësuesit e Kishave dhe organizata joqeveritare.
Në tetor 2017 Toni Gogu u emërua zëvendës Ministër i Drejtësisë me detyrën kryesore të koordinatorit të zbatimit të reformës në drejtësi. Ai ishte gjithashtu përgjegjës për mirëfunksionimin e organeve të rivlerësimit kalimtar dhe ngritjen e organeve qeverisëse të sistemit të drejtësisë.
Në vitin 2019 u zgjodh kryetar i Këshillit Bashkiak, ndërsa në nëntor të vitit 2020, Toni emërohet prefekt i Qarkut Tiranë./Tema