Nga Mero Baze/ Monika Kryemadhi është gruaja më jetëgjatë në politikën shqiptare dhe hyn tek lista e politikanëve më të vjetër në vend, së bashku me Sali Berishën dhe Ilir Metën. Ndryshe nga Sali Berisha, ajo dhe burri i saj Ilir Meta, janë ende pretendues për vazhdimin e karrierës politike, e cila ka nisur si studente e “Bio-Kimi”-së në vitin 1991, kur është bërë pjesë e Partisë Socialiste.
Ajo ishte një aktiviste ambicioze dhe luftarake, cilësi që e bënë atë figurë kryesore në formimin e Forumit Rinor Eurosocialist dhe në 15 janar 1992, zgjidhet anëtare e Kryesisë së FRESSH. Në Kongresin e parë të FRESSH që u mbajt në maj 1992, Pandeli Majko e mbështeti atë, të zgjidhet sekretare e Përgjithshme e FRESSH.
Ajo u bë kështu një nga organizatoret më të mira të Forumit Rinor Eurosocialist dhe mbështetëse pa rezerva e kryetarit të këtij forumi, Pandeli Majko.
Kjo harmoni filloi të zbehet, ndërkohë që në Forumin Rinor Eurosocialist, një tjetër figurë që do të dominonte të ardhmen e së majtës shqiptare, po afrohej me të. Ishte Ilir Meta.
Në nëtor të vitit 1994, ata ishin dy të dashuruar të Forumit Rinor, dhe pas kësaj e ardhmja e Majkos në krye të FRESSH, u zbeh.
Në pranverë të vitit 1995, në Kongresin e radhës, ishte Kryemadhi dhe grupi i saj që diktonin kryetarin e ri. Ai ishte i dashuri i saj, Ilir Meta.
Debatet nëse udhëheqja e re, ishte më luajale me udhëqjen e Partisë Socaliste, apo më disidente, ishin një vijë politike që ndau udhëheqjen e re, nga ajo e vjetra.
Arsyetimi i parë mbështetës, ishin lidhjet ndërkombëtare të çiftit Meta- Kryemadhi. Ndërkohë që u zgjodh në krye të FRESSH, Ilir Meta ishte sekretar për Marrëdhëniet me Jashtë në Partinë Soicliste, kurse Kryemadhi ishte zëvendëspresidente e Internacionales së Rinisë Socialiste prej vitit 1994, detyrë ku u rizgjodh dhe në vitin 1996.
Udhëtimet e të rinjve eurososialistë jashtë Shqipërisë, që shpesh përfundonin në emigrim, sidomos drejt vendeve skandinave, ishin dhe një mënyrë financimi dhe mbijetese e kësaj organizate entuziaste, por të varfër.
Me arsyetimin se Perëndimi kërkonte reformim të Partisë Socialiste, të dy u bënë zëra kritikë brenda PS-së edhe në raport me Fatos Nanon, që vuante në burg, dhe tentonin të mbanin monopolin e lidhjeve ndërkombëtare të Partisë Socialiste.
Pas zgjedhjeve të destabilizuara të vitit 1996, kur ish- presidenti Sali Berisha ishte i vendosur të zhvillonte një palë zgjedhje pa opozitë, brenda Partisë Socialiste pati një betejë reale kundër lidershipit të Fatos Nanos nga burgu.
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi ishin në krye të kësaj lëvizje dhe me një bashkëpunim thuajse të hapur me Sali Berishën.
Ata ishin rregullisht të preferuarit e shtypit të tij dhe Berisha ishte i informuar në kohë reale për zhvillimet në Partinë Socialiste, falë raporteve sekrete me çiftin Meta- Kryemadhi.
Por në Kongresin e gushtit 1996, Fatos Nano triumfoi në Kongres nga burgu dhe Ilir Meta e Kryemadhi u spostuan pa perspektivë për karrierë brenda partisë.
Lidershipi i ri i Partisë Socialiste i përkiste mbështetësve të Fatos Nanos dhe i vetmi mekanizëm në duart e Kryemadhit, mbeti FRESSH. Ndërkohë ajo ishte zgjedhur anëtare e Këshillit Bashkiak të Tiranës.
Pas trazirave të vitit 1997 dhe ardhjes në pushtet të socialistëve, Ilir Meta mbijetoi për arsye gjeografike, si deputet i Skraparit, dhe arriti të marrë një post minor në Qeveri, si sekretar shteti në Ministrinë e Jashtme.
Ndërkohë Monika Kryemadhi u përfol në vitin 1998, në një çështje e cila rrezikoi t’i kthehej në vepër penale disa vite më vonë nga kryeprokurori Arben Rakipi. Disa vagonë të falur nga Qeveria austriake kishin përfunduar të shitur në Shqipëri dhe pas këtij skandali shtypi dhe politikanët në pushtet lakuan emrin e saj. Çështja shkoi në Prokurori, por nuk u hap kurrë.
Në vitin 1998, pas trazirave që pasuan vrasjen e Azem Hajdarit, Fatos Nano dha dorëheqjen dhe Ilir Meta u zgjodh zëvendëskryeministër, ndërsa Majko kryeministër.
Në nëtor të vitit 1999, pas të vetmit Kongres me garë të vërtetë të Partisë Socialiste, Monika Kryemadhi lëvizi fijet në prapaskenë, që gara mes Fatos Naos dhe Pandeli Majkos të përfundonte me fitoren e Fatos Nanos dhe Ilir Meta pas kësaj u zgjodh kryeministër.
Ky është momenti ku roli ekzekutiv i Kryemadhit bëhet i dukshëm në publik. Një numër jo i vogël drejtuesish të FRESSH përfunduan drejtora të rëndësishëm në vendet me mundësi për abuzime financiare, si tek Drejtoria e Rrugëve, Drejtoria qeveritare, Drejtoria e targave e patentave, apo në komisione tenderash.
Monika Kryemadhi ishte njeriu që diktonte emërimet dhe karrierën e tyre, por dhe që kishte dëshirë që kjo gjë të dihej nga të gjithë. Disa nga këto fakte ishin lehtësisht të verifikueshme publikisht.
Historia e saj u bë paksa toksike, kur akuzoi kryeredaktorin e gazetës “Rilindja Demokratike” Astrit Patozi, zëvendëkryeredaktorin Shemsi Peposhi dhe gazetarin Redin Hafizi, pasi ata zbuluan se ajo qëndronte pas një guroreje në Dajt, ku humbën jetën dy persona.
Gurorja formalisht ishte regjistruar në emër të biznesmenit Dritan Avllaj (i njohur me nofkën Tan Lepuri), i afërt me Kryemadhin. Një reportazh i botuar në gazetat e opozitës dhe në një televizon afër saj, dëshmonte se punëtorët njihnin Kryemadhin si pronare reale të tyre.
Asnjë çështje nuk u ngrit për dy punëtorët e vrarë, dhe të vetmit që u dënuan ishin gazetarët që shkruajtën. Dy prej gazetarëve që u dënuan me burg, Shemsi Peposhi dhe Redin Hafizi, fituan azil politik në Britani të Madhe dhe SHBA, ndërsa Astrit Patozi, u dënua me gjobë.
Reagimet e forta ndërkombëtare ndaj gjyqit të saj ndaj gazetarëve, nuk është se e tronditën. Ndërkohë drejtorët e rëndësishëm të emëruar prej saj, binin përditë në skandale të rënda, deri dhe në transportues droge me makinat e tyre.
Në zgjedhjet e vitit 2001, ajo kandidoi për deputete në zonën e Kombinatit në Tiranë, dhe siç pritej, fitoi thellë. Zgjedhjet ishin një proces i kontrolluar hapur nga strukturat shtetërore dhe banda afër Qeverisë, dhe Kryemadhi ishte një lloj magneti për këto grupe.
Ajo u zgjodh ndërkohë si drejtuese e delegacionit shqiptarë në Asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës në Starsburg, duke u përpjekur të ringjallë superioritetin që ka pasur qysh në fillim me raportet ndërkombëtare.
Fitorja e zgjedhjeve të vitit 2001 dhe arroganca e çiftit Meta- Kryemadhi në pushtet ngjallën reaksion dhe brenda socialistëve. Kryetari i kësaj partie Fatos Nano, i lënë jashtë pushtetit dhe i papërfillur prej tyre, nisi atë që quhej “Lëvizja për katarsis”, në vjeshtë të vitit 2001, ku Kryemadhi ishte më e stigmatizuara prej tij. Në janar të vitit 2002, Ilir Meta u detyrua të dorëhiqej.
Ndërkohë që po ikte nga pushteti, ai ishte i shqetësuar se prokurori i Përgjithshëm Arben Rakipi do të mund të përdorej nga Fatos Nano kundër tij, sidomos për çështjen e vagonave që ishte depozituar për Monika Kryemadhin.
Përmes lidhjeve të tij okulte me Sali Berishën, para se të ikte, ai vendosi të krijonte një aleancë fluide për shkarkimin e Arben Rakipit përmes rikthimit të Partisë Demokratike në Parlament.
Me një aftësi për t’u pasur zili, Ilir Meta siguroi 45 deputetë të grupit të tij parlamentar dhe duke bashkuar votat me Sali Berishën, shkarkoi Arben Rakipin duke emëruar në vend të tij Dhori Sollakun dhe duke u qetësuar kështu nga ndonjë ndëshkim i mundshëm ligjor.
Pas një “Qeverie dezhurn”nga Pandeli Majko, prej shkurtit të vitit 2002, deri në korrik të vitit 2002, kur u zgjodh dhe presidenti i ri, Ilir Meta u rikthye në qeverinë Nano si zëvendëskryeministër dhe ministër i jashtëm, në shenjë kompromisi për të bashkuar Partinë Socialiste.
Monika Kryemadhi ishte ndërkohë vrojtuesja e vëmendshme e humbjes së peshës së pushtetit të Ilir Metës, për shkak të flirtimit të Sali Berishës direkt me Fatos Nanon. Deri në atë kohë, fuqia e çiftit Meta- Kryemadhi në Partinë Socialiste ishte lidhja me Sali Berishën. Kur Fatos Nano e vendosi direkt lidhjen me Berishën, fuqia e tyre ra dhe u bënë të padobishëm.
Pas disa krizash brenda Qeverisë, Ilir Meta dha dorëheqje nga ministër i jashtëm në vitin 2003 . Në kongresin e vjeshtës të Partisë Socialiste, Fatos Nano e la çiftin Meta- Kryemadhi jashtë forumeve drejtuese të partisë, thuajse si të përjashtuar, bashkë me grupin e tyre.
Në këto kushte, në prill të vitit 2004 ata formuan Lëvizjen Socialiste për Integrim. Këtu nis historia e re politike e çifti Meta- Kryemadhi, të cilët tashmë kishin një parti familjare.
Në zgjedhjet e vitit 2005, Kryemadhi rikandidoi në zonën e Kombinatit. Falë ndryshimit të sistemit, pa balotazh, Monika Kryemadhi u bë fati i Bujar Nishanit, një tjetër rishtari në politik, të cilin PD e kishte vendosur në një zonë ku ishte e sigurtë që humbiste. Por falë 2800 votave të Kryemadhit, dhe mungesës së përvojës politike të kandidatit socialist Igli Toska, i pari në zonë doli Bujar Nishani.
Lëvizja Socialiste për Integrim arriti të marrë 5 deputetë, nga të cilët vetëm Ilir Meta fitoi drejtpërdrejtë në Skrapar, ndërsa katër të jetër hynë nga sistemi propocional. Monika Kryemadhi ngeli jashtë Parlamentit, por në krye të punëve të partisë së re.
LSI filloi të afrohej me socialistët pas zgjedhjes së Edi Ramës në krye të saj më 2005, dhe bashkëpunuan në zgjedhjet lokale të vitit 2007.
Gjithçka u prish në vitin 2008, kur Sali Berisha dhe Edi Rama ranë dakord të ndryshonin Kushtetutën dhe Kodin Elektoral, në favor të një sistemi të ri zgjedhjesh, të cilin Ilir Meta e kundërshtoi thuajse i vetëm dhe i pashpresë, deri me grevë urie në Kuvend.
Përpjekjet e dështuara për t;u ribashkuar me socialistët në zgjdhejt e vitit 2009 dështuan dhe ata hynë me një koalicion të tyre, me parti të vogla.
Pas zgjedhjeve LSI arriti të marrë katër deputetë falë ndihmës së socialistëve në Tiranë dhe më 1 korrik 2009 shpallën aleancën e tyre në qeveri me Sali Berishën.
Monika Kryemadhi garoi në Dibër, në origjinën e vet, por humbi thellë. Pas garës fajësoi kandidatin socialist se i kishte vjedhur votat.
Kjo retorikë e bëri Monka Kryemadhin vendimtare për aleancën me Sali Berishën dhe theu çdo mëdyshje apo zë kritik brenda LSI-së.
Aleanca e LSI-së me Berishën shkaktoi hemoragjinë më të madhe politike brenda LSI-së. Thuajse gjithë figurat tradicionale të socalistëve që i ishin bashkuar LSI-së u larguan, në shenjë proteste, dhe LSI, nga një parti e ish- socialistëve të Ilir Metës, mbeti një parti e njerëzve të Monika Kryemadhit.
Monika Kryemadhi u rikthye në pozicionin e saj të fortë si ajo e vitit 2001, por tashmë jo për gjithë Qeverinë, por për pjesën e LSI-së brenda Qeverisë, që funksiononte si Qeveri më vete.
Jeta e tyre filloi të ndryshojë me shpejtësi. Ata ndërtuan një shtëpi të madhe luksoze në kufijtë e një pallati pritje në Gjirin e Lalzit, të cilën Kryemadhi e prezantoi gjithë pompozitet në një intervistë me gazetaren Sonila Meço, por që ngjalli shumë irritim në publik. Pas kësaj emisoni u fshi nga çdo faqe interneti dhe arkivë televizioni.
Por brenda LSI-së punët nuk po shkonin mirë. Dritan Prifit, ish- ministri i Ekonomisë, i cili i njihte vetes meritën e futjes në koalicion me Partinë Demokratike, po bezdisej gjithnjë e më shumë nga kërkesat e Kryemadhit dhe Metës për favore në Ministrinë e tij, dhe një ditë vendosi t’i rregjistronte.
Rregjistrimi përmban një bisedë konfidenciale të Ilir Metës, i cili i kërkon llogari për çështje të shënuara në një bllok për shumë favore për LSI-në, që Prifti nuk i ka realizuar.
Videokaseta përfundoi në emsionin Fiks Fare disa muaj më vonë dhe në fillim të janarit 2011 u transmetua. Kjo shkaktoi vërshimin e njerëzve në rrugë dhe revoltën e 21 janarit.
Ilir Meta ishte në ditët e tij më të këqija. Ai kërcënohej nga burgu dhe nga zemërimi popullor, ndërsa LSI po bëhej një forcë politike që ishte sinomim i korrupsionit. Monika Kryemadhi nuk dorëzohej. Ajo nxorri të rinjtë në rrugë me parrullën “Ilir Meta, e vërteta” dhe përbetohej për një rikthim të fuqishëm.
E vendosur të shkatëronte armikun e burrit të saj, ajo siguroi përgjime intime të Dritan Priftit, me të cilat e detyroi atë të tërhiqej nga akuzat publike dhe të krijonte një paqe, që gjyqi ndaj të dyve të mbyllej pa dënime.
Dhe kështu përfundoi. Gjykata vendosi njësoj si për Ilir Metën, ashtu dhe Dritan Priftin, që “fakti nuk ekzistonte”, edhe pse publiku e kishte parë me zë dhe figurë.
Një natë para gjyqit, Monika Krymadhi thirri në shtëpinë e saj në Bllok, Sali Berishën dhe i tregoi faktet ku e kishin sigurinë për të fituar të nesërmen gjyqin. Por mes fakteve kishte dhe një shantazh për djalin e tij. Mes tyre ishte dhe video-ja intime e Dritan Priftit dhe disa deklarata të tij për djalin e Berishës, thënë nëpër tavolina, të cilat Meta ja rikujtoi Berishës në vitin 2015 në Parlament, gjatë një polemike, ku i “kujtoi” se “për ty bëj çdo sakrificë, por për Shkëlzen Berishën nuk e bëj, e kam dhënë njëherë dorheqjen për të”. Dhe të gjitha këto filmoheshin dhe ruheshin ne valixhen e zeze te “Baba Takut”.
Kjo ja zuri darkën në fyt Berishës, por e bëri të ishte më i vendosur në mbështetjen e tij për Ilir Metën. Pasi gyqi mbaroi, çifti Meta- Kryemadhi u relaksuan dhe filluan të mendojnë për të ardhmen e tyre politike jashtë Partisë Demokratike.
Formalisht Kryemadhi mori detyrën e sekretarit të Përgjithsëm të LSI, ndërsa po përgatiste partinë për t’u zgjeruar në adiministratë në pika kyçe dhe të ishte gati për zgjedhjet e vitit 2013 .Duke kontrolluar Ministrinë e Ekonomisë dhe industrinë e karburanteve, ata siguruan mbështetje të mire financiare për zgjedhjet që po vinin, ndërkohë që kishin filluar negociatat me Edi Ramën për t’u shkëputur nga qeveria. Ata kishin një prezencë të mire në Këshillin Bashkiak të Tiranës, ku kishin mbështetur Bashën në zgjedhjet e kontestuara të vitit 2011, duke marrë dhe një prej nënkryetarëve të saj.
Ata bënë publike marrëveshjen me Edi Rmanë dhe në prill të vitit 2013 u larguan nga qeveria. Në vitin 2013, Kryemadhi garoi për LSI në Qarkun e Lezhës dhe u zgjodh deputete për herë të dytë në Kuvendin e Shqipërisë.
LSI arriti të marrë 19 mandate falë formulës së koalicionit me lista të përbëra, dhe sigurisë se pushteti do ishte në anën e aleancës PS- LSI.
Ilir Meta u zgjdh kryetar Parlamenti, ndërsa Kryemadhi u kthye realisht në administratore të pushtetit të LSI-së.
Falë qetësisë që fitoi nga pushteti dhe siguria e mos ndëshkimit, ajo organizoi një ditëlindje jubilare të Ilir Metës në Lalëz, në një çadër të improvizuar ku ishin rreth 600 të ftuar. Gjithçka ishte ndërtuar vetëm për një natë, përfshi 12 tualete, çadra e madhe, pista, palma dhe gjithçka tjetër.
Zhurma në shtyp e bëri sërish të kujtojë ditët e saj të këqija dhe pamjet u zhdukën përsëri. Turbulencat brenda koalicionit ishin tashmë gjë e zakonshme. Një komision i ngritur nga PD për çështjen CEZ /DIA, e tronditi thellë Ilir Metën, i cili dyshonte se pas saj qëndronte një aleancë e Edi Ramës me Lulzim Bashën, kundër tij dhe Berishës.
Monika Kryemadhi ishte nxitëse e kësaj paranoje, e cila desh çoi në rrëzimin e qeverisë. Ndërkohë që Kastriot Ismaili, një biznesmen i afërt me Kryemadhin dhe Metën ishte në burg për këtë çështje, gruaja e tij denonconte në shtyp shifra lekësh që i kishte dhënë Ilir Metës.
Kjo rikthente sërisht paranojat e çifit Meta- Kryemadhi ndaj Ramës dhe shkonin sërish drejt prishjes së qeverisë.
Kjo situatë u bë dhe më e lodhshme kur filluan paranojat nga reforma në drejtësi. Në vitin 2016, pasi reforma në drejtësi u miratua, Ilir Meta bëri përpjekjet e fundit ta rrëzonte qeverinë në vjeshtë, duke tentuar të krijojë një aleancë me deputetë të partive të vogla, por nuk ja arriti.
Kryemadhi vazhdonte qeveriste pushtetin e tij. Ata ndërruan shtëpinë në Bllok, një apartament shumë i shtrenjtë, që si zakonisht gjendet një biznesmen afër pushtetit që e blen, dhe bashkuan dy vila tek “Kodra e Diellit”, falë një kontrate të vjetër bashkëpunimi me ndërtuesin, në një pallat tek ish- prona e Kryemadhit, afër Unazës së Re
Prej kësaj kohe nisi beteja për të dalë në opozitë me Edi Ramën dhe për t’u afruar me Lulzim Bashën. Kryemadhi si një tip më e drejtëpërdrejtë, ishte e vendosur dhe e hapur për aleancën me Bashën, ndërsa Ilir Meta bëri piruetat e zakonshme, që paradite ishte në Kuvend dhe pas darke tek Çadra në Bulevard. Pasi u zgjodh president duke e lënë Bashën vetëm, ai u përball me hakmarrjen e Bashës, i cili u bë aleat me Edi Ramën në një marrëveshje që synonte zhdukjen e LSI-së në zgjedhje.
Në fakt, Ilir Meta i mbijetoi zgjedhjeve, ndërsa Basha doli më keq se ai. Ai tashmë ishte zgjedhur president, por Monika Kryemadhi nuk kishte pranuar të ishte zyrtarisht Zonja e Parë. Një nga vajzat e saj, të cilat së bashku me djalin, jetojnë të tre në Angli, vendosi të quhej “Zonja e Parë”, edhe pse është adoleshente. Ky është dhe një lloj poshtërimi që i bënë institucionit të presidentit, edhe pse vajza rezulton me e zgjuar se i jati.
Më 5 korrik 2017, Kryemadhi zgjidhet kryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrim nga Konventa Kombëtare, duke zëvendësuar Z. Petrit Vasili, i cili dha dorëheqjen pas zgjedhjeve. Ajo tashmë ishte dhe formalisht në krye të partisë dhe vendimarrëse në shumë nga aksionet politike të LSI-së.
Me fillimin e sezonit të ri parlamentar, tashmë Kryemadhi si një nga bashkëdrejtueset e opozitës, kishte marrë më shumë peshë në aksionet konkrete Për shkak të ngadalësisë me të cilën nisi të implementohej reforma në drejtësi, lindi nevoja për zgjedhjen e një kryeprokurori të përkohshëm, pas ikjes së Adriatik Llallës.
SHBA dhe Bashkimi Evropian, sugjeruan zgjidhjen dhe mbështetën një proces që zgjidhte një kryeprokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm. Monika Kryemadhi vendosi të shquante në agresivitetin e saj, duke e lënë Lulzim Bashën në hije.
Ndërsa Parlamenti po zgjidhte kryeprokuroren e Përgjithshme të Përkoshme, Arta Marku, Monika Kryemadhi u bë e famshme për shkak të çizmes me të cilën tentoi të qëllojë kryeministrin në Kuvend, ndërsa salla u mbush me fishekzjarrë, duke imituar Albin Kurtin në Kosovë, që hidhte gaz lotsëjellës. Pas kësaj, ajo tentoi të mbledhë kartat e deputetëve socialistë, që të mos mund të votonin kryeprokuroren.
Gjestet e saj shqetësuan faktorin ndërkombëtar dhe krijuan një hendek mes saj dhe diplomatëve kryesorë perëndimor në Tiranë. Ambasadori Donald Lu dhe ambasadorja Vlahutin, ishin armiqtë e rinj të familjes Meta.
Por Kryemadhi nuk u step.
Në një përpjekje të sforcuar për të prodhuar skandale mediatike, Kryemadhi dhe Basha ishin bashkë në çështjen “Babale”, një skandal i sajuar kundër ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, pas të cilit përfunduan në Prokurori vetë sajuesit.
E njëjta gjë ndodhi dhe me dosjen “Toyota Yaris”, ku u provua se një nga personat në kërkim ishte në zyrën e Lulzim Bashës dhe kishte lidhje të forta me LSI. E konsumuar në beteja të vogla, që më parë shuheshin se sa ngjisnin në publik, opozita u përqëndrua tek beteja për ligjin e dekriminalizimit, pas incidenteve që ndodhën në Kuvend, ku deputeti Strazimiri u rrah nga një deputet socialist i Lezhës.
Në qershor opozita vendosi të bojkotojë Kuvendin, për shkak të kësaj historie. Ata qëndruan larg Kuvendit dhe me fillimin e sezonit të ri parlamentar në shtator. Në fund të vitit 2018 pasoi një protestë studentësh, nga më të mëdhatë në Shqipëri, paralel me një skandal të Qeverisë, lidhur me prokurimin e një segmenti në Unazën e Tiranës për llogari të një kompanie fantazëm.
Të frikësuar se studentët po u merrnin monopolin e opozitës, Kryemadhi dhe Basha tentuan të fusin forumet e tyre rinore brenda protestës, duke shkatërruar gjithçka dhe duke lejuar Edi Ramën të bëhet palë me studentët në përpjekje për një “Pakt për Universitetin”.
Ndryshimet drastike në qeveri e eklipsuan opozitën dhe 2019 ishte një start i ri për ta Kjo e rriti dhe më tej agresivitetin e opozitës, duke e dëshpëruar atë. Në shkurt 2019 ata vendosën të nisin atë që quhet “Revolucioni i molotovëve”, duke shpallur se nuk do të hynin në zgjedhje lokale me Edi Ramën kryeministër.
Ndërkohë që deputetët po plotësonin afatin gjashtë mujor të mos shkuarjes në Kuvend, më 19 shkurt 2019, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi vendosën të djegin mandatet e deputetëve të opozitës.
Vendimi duket se kishte në distancë mbështetjen e Sali Berishës, i cili priste një rezultat nga radikalizimi, por nuk donte të merrte përgjegjësi, duke paralajmëruar në mbledhjen e grupit parlamentar se ky vendim “ose na sjell në pushtet, ose e shkrin Partinë Demokratike”.
Ilir Meta nga ana e vet bënte sikur ishte befasuar nga vendimi.
Monika Kryemadhi, e cila mbështeti vendimin, shpresonte se socialistët do të trembeshin dhe do të dorëzoheshin. Kjo dukej se qe i vetmi objektiv i tyre. Por veprimi i shpejtë i socialistëve dhe çuarja e mandateve në KQZ për t’u zëvendësuar, tregoi të kundërtën dhe zbuloi dobësinë e opozitës.
Rimbushja e Parlamentit me listën rezervë të PD e LSI ishte një dramë më vete për opozitën, pasi i krijoi Edi Ramas lehtësinë për të ndryshuar Kodin Elektoral dhe për të vazhduar i qetë qeverisjen.
Për gati tre muaj në Bulevard opozita provokonte çdo javë me moltov ndërtesat qeveritare dhe Kuvendin, duke paralajmëruar dhe mos hyrjen në zgjedhjet lokale. Tensioni arriti kulmin kur Ilir Meta ç’dekretoi 30 qershorin dhe shpalli një date të re zgjedhjesh, më 13 tetor.
Falë reagimit të ashpër ndërkombëtar dhe vendosmërisë së Qeverisë, zgjedhjet e 30 qershorit u mbajtën pa opozitën, e cila humbi brenda tre muajsh kauzën e dy aksioneve të saj, atë të djegies së mandateve, të cilat u zëvendësuan, dhe atë të braktisjes së zgjedhjeve lokale.
Tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit i dha Edi Ramës lirinë të merrej me një krizë që ai diti ta menaxhojë shumë mirë, sidomos duke siguruar mbi 1 miliardë euro ndihma ndërkombëtare. Në këto kushte, aksioni i përbashkët politik opozitar ishte një dështim i madh. Monika Kryemadhi dhe burri i saj president, filluan secili të mendonte për zgjedhjet e vitit 2021. Ilir Meta filloi të përhapë fjalë për një parti të tij të re, që nuk kishte më lidhje me LSI.
Në një përpjekje për të krijuar idenë e mbështetjes popullore, ai thirri më 2 mars një miting gjoja në mbrojtje të Kushtetutës, ku PD dhe LSI risollën protestuesit e molotovëve në Tiranë.
Por një javë më vonë Shqipëria u mbyll për shkak të pandemisë dhe e vetmja mënyrë për të bërë opozitë gjatë vitit 2020 ishte të përqafoje teoritë konspirative që virusi nuk ekziston, të dilje në rrugë pa maska dhe të sfidoje masat e qeverisë. Monika Kryemadhi i bëri të gjitha këto, por as ajo, e as burri i saj, nuk i shpëtuan COVID, duke u kuruar në spitale të shtrenjta private në Tiranë dhe Itali, ilegalisht.
Tashmë kur Shqipëria është ende nën pushtetin e frikës dhe pasigurisë së COVID 19, Kryemadhi po tenton sfidën e saj politike të parë në jetë, duke garuar e vetme me LSI në zgjedhje, pasi Lulzim Basha nuk pranoi ofertën e saj për të qenë në një listë, ku Kryemadhi kërkonte gati 40 për qind të saj.
Duke rënë dakord bashkë se do të bëjnë aleancë pas zgjedhjeve, në fakt të dy po shkojnë drejt zgjedhjeve duke luftuar secili për vete, me shumë pak besim tek njëri- tjetri. Është e qartë se PD po rritet në kurriz të LSI-së, duke i rimarrë gjithë të lëkundurit e saj.
Nga ana tjetër, Ilir Meta po zhvillon një fushatë personale elektorale me kërcënime të papërgjegjshme për 25 prillin, të cilin e konsideron festë, nëse fiton ai, dhe tragjedi që do t’i vërë zjarrin vendit, nëse fiton Edi Rama.
Shpesh herë me lëkundjet e tij psiqike, ai eshtë bërë problem dhe për LSI-në. Rasti i fundit ishte Vlora, kur ai befas i vuri syrin të dytës së listës dhe nxorri tradhtar Luan Ramën. U desh përleshja e tij me Kryemadhin që kriza (jo vetëm politike), të maskohej dhe tani të gjithë të bëjnë sikur janë edhe me Luanin, edhe me atë të numrit 2, por që në fund rrezikon të mos fitojë asnjë.
Askush nuk është i bindur se fushata e Ilir Metës e ndihmon opozitën apo LSI-në, por është e sigurt se ai dhe Kryemadhi nuk do ta njohin humbjen. Siç nuk njohën 30 qershorin, apo dështimin me djegien e mandatave.
Për ironi të fatit, çifti Meta- Kryemadhi ju imponuan politikës shqiptare në fillim të viteve ‘90, si njerëzit e Perëndimit në të majtën e pareformuar shqiptare dhe sot janë problem real i Perëndimit në politikën shqiptare, falë bilancit të tyre politik 30- vjeçar. Dhe ky problem tani është taksë për të djathtën shqiptare, e cila nuk bën dot as pa Kryemadhin, as pa Perëndimin.